Valon Berisha ka luajtur qindra ndeshje futbolli gjatë karrierës së tij si futbollist profesionist. Por, të shtunën për Berishën ishte hera e parë që luan në një ndeshje pa shikues. Megjithatë, Berisha në një intervistë dhënë të dielën për emisionin sportiv të KTV-së “Sporti Total” ka thënë se janë me fat që kanë qenë të parët nga ligat më të forta në Evropë e ka vazhduar kampionatin pas pandemisë së koronavirusit.
Berisha ishte njëri prej lojtarëve shqiptarë që luajti 69 minuta të shtunën për Fortuna Dusseldorf, që barazoi pa gola ndaj Paderbornit, skuadër në të cilën luan edhe futbollisti shqiptar, Klaus Gjasula.
“Ndjenjë pak më ndryshe të luash pa tifozë. Loja e parë që e kam luajtur pa shikues. Kemi mundur ta dëgjojmë mirë njëri-tjetrin e po ashtu edhe kundërshtarin. Ka qenë ndjenjë e mirë që kemi filluar sërish të luajmë. Nuk është e mundur askund në botë, vetëm në Bundesligë. Kemi pasur fatin që na kanë lejuar ta fillojmë dhe duhet të jemi të kënaqur. Sigurisht se tifozët na kanë munguar, por nuk kemi çfarë të bëjmë, duhet të pajohemi”, ka thënë futbollisti i përfaqësueses së Kosovës në intervistën e tij të parë dhënë pas rifillimit të kampionatit në Gjermani. “Emocionet kanë qenë disi pak më ndryshe. Kur janë tifozët, e ke një motiv shtesë. Këtë nuk e kishim, por ka qenë lojë e mirë nga ana jonë”, ka theksuar Berisha.
Berisha është shpallur edhe lojtari më i mirë nga uebfaqja zyrtare e Bundesligës në ndeshjen e parë pas rifillimit të këtij edicioni.
“Unë shkoj në hap me kohën dhe besoj se edhe formën fizike do ta arrijë. Po e ndiej veten që jam mirë. Jam i kënaqur që po kam mundësi të luaj dhe normalisht që mundohem gjithnjë ta jap më të mirën për ta ndihmuar ekipin. Më erdhi mirë që pata mundësi të luaj një lojë të mirë. Por, edhe më mirë do të ishte sikur të shënoja ndonjë gol apo të asistoja. Me punë besoj se mund t’ia arrij edhe këtij qëllimi, sepse ende nuk e kam formën maksimale”, ka thënë Berisha.