Komuna e Fushë-Kosovës thotë se gjatë gjashtë viteve të fundit ka pasur bashkëpunim shumë të mirë me Agjencinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) në fushën e menaxhimit të mbeturinave.
Për të falënderuar për këtë bashkëpunim, kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, ka pritur në takim drejtoren ekzekutive të GIZ-it, Aleksandra Linden.
Në takim u bisedua për mundësitë e planifikimit më të mirë të sistemit të menaxhimit të mbeturinave, aspekti operacional i menaxhimit të Mbeturinave, Procesin e Minimizimit të Mbeturinave dhe mundësinë e krijimit të një deponie për mbeturina inorganike.
Në takim përveç bisedave dhe vlerësimit të bashkëpunimit, kryetari Berisha ndau mirënjohje për GIZ-in, për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme në menaxhimin e çështjeve mjedisore gjatë implementimit të projekteve në fushën e menaxhimit të mbeturinave.