Berisha: Partia Demokratike në vështirësi serioze

Prishtinë | 23 Kor 2017 | 09:36 | Nga

Ish-kryeministri Sali Berisha, në një prononcim për mediat pasi ka votuar në zgjedhjet për kryetarin e PD, ka deklaruar se pavarësisht përplasjeve ky proces është në përputhje me statutin e partisë.

“Pati në fillim një gabim të zotit Paloka dhe Spaho, që shpallën datën. Por ky gabim u korrigjua nga kryesia e PD. Në këtë kontekst konsideroj se procesi është zhvilluar në përputhje me statutin e PD”, ka deklaruar Berisha.

Ish-kreu i partisë më të madhe të djathtë ka sqaruar për gazetarët motivet e heshtjes së tij gjatë kësaj periudhe përplasjesh në radhët e demokratëve.

“Pse unë nuk kam folur? Sepse unë kam dhënë një dorëheqje pa rikthim. Atë që kam bërë e kam bërë me ndërgjegjen më të plotë dhe veç atij që ka gjitha fuqitë, fuqi tjetër që të më kthejë mua nuk ka dhe nuk do të ketë. Janë me mijëra demokratët që më kanë kërkuar të rikthehem, por unë i jam përmbajtur atij vendimi të marrë para shqiptarëve”, ka thënë Berisha.

Më tej, ai ka pranuar se PD ndodhet në vështirësi pas humbjes në zgjedhjet e qershorit, por ka shtuar se kjo situatë mund të tejkalohet nëse bashkohen të gjitha përpjekjet.

“PD pa diskutim që është në vështirësi serioze. Ajo ka pësuar humbjen më të thellë në historinë e saj. Por mesazhi im është ky: humbje fatale nuk ka. Humbjet janë të hidhura, të thella, por humbjet fatale i bën ti me dorën tënde, ndaj ftoj çdo njeri që e do këtë parti që të punojë me përkushtim për një strategji të re që e kthen PD në forcë të sigurtë të pushtetit të ardhshëm. Uroj që në këtë vorbull kundërshtish që ka, të bëhen të gjitha përpjekjet, në radhë të parë nga ai që do të dalë kryetar, por edhe nga të gjitha anët”, ka thënë Berisha.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme