Profesori universitar, Ibrahim Berisha, iu ka bërë thirrje liderëve të shtetit që t’i përvjelin mangët dhe të bëjnë atë që ua përcakton Kushtetuta: të kontrollojnë kufijtë dhe të qeverisin në gjithë territorin e shtetit.
Postimi i plotë i Ibrahim Berishës në faqen e tij në Facebook:
Kontrolloni kufijtë, qeverisni në territorin e shtetit tuaj! Ky ishte mesazhi (ndërkombëtar) i këtyre dy ditëve që ua rikujtoi parlamentarëve, qeveritarëve dhe zyrtarëve të shtetit, se ata kishin përgjegjësinë për të kontrolluar kufijtë dhe për të qeverisur në gjithë territorin e Republikës.
Ishte rikujtim se nuk duhej pritur dikush nga jashtë do të vijë të kujdeset vazhdimisht për kufijtë dhe sovranitetin; të kryejë punët, të cilat Kushtetuta i ka përcaktuar se u përkasin institucioneve të Republikës së Kosovës.
Kontrolloni kufijtë, qeverisni në territorin e shtetit tuaj! Ky ishte mesazh për qeveritarët dhe parlamentarët që të lënë selfiet nëpër ahengje, klientlizmin, provincializmin, nepotizmin, personalizimin e institucioneve, institucionalizimin e familjeve, të lënë diskursin luftarak e të ndodhtë mes vete, retorikën romantike dhe mburravece; por t’i përvjelin mëngët dhe të bëjnë atë që ua përcakton Kushtetuta: të kontrollojnë kufijtë dhe të qeverisin në gjithë territorin e shtetit.