Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka akuzuar palën shqiptare që sipas saj nuk është për dialog, dhe homologun e saj kosovar Ramush Haradinaj, që siç ka thënë është duke bërë lojë politike, “kinse me angazhimin për dialog me zgjidhje të paracaktuar”.
“Për çfarë dialogu flisni, nëse futni një zgjidhje specifike? Unë nuk mund të kuptoj çka do të thotë njohje të ndërsjellë, sepse për ne nuk është e domosdoshme njohja nga Prishtina”, ka thënë Bërnabiq, teksa ka theksuar me ironi faktin që Serbia është anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve të tjerëve ndërkombëtare.
E pyetur për bisedën me kryeministrin britanike Theresa May, në Poznan, në margjinat e Samitit të Procesit të Berlinit, Bërnabiq tha se diskutuan marrëdhëniet dypalëshe pas BREXIT-it, dhe për një marrëveshje të ardhshme tregtare.
“Mund të thuhet se ka një numër në rritje të investitorëve nga Britania e Madhe, që është e interesuar për Serbinë dhe është e rëndësishme që ta kemi këtë marrëveshje”, ka thënë Bërnabiq, teksa ka folur edhe për Kosovën nga takimi me kryeministren britanike në detyrë.
“Ajo më tha se do të bëjnë thirrje për të pezulluar taksat në mënyrë që dialogu të vazhdojë”, tha Bërnabiq, përcjell FoNet.
Bërnabiq ka thënë se ka ardh në përfundim se May shprehu keqardhjen pse situata në rajon është më e keqe se pesë vjet më parë, kur filloi Procesi i Berlinit.
“Unë shpresoj që takimi i saj me Haradinajn do ta ketë efektin e vet, edhe pse nuk pres shumë”, ka thënë Bërnabiq.
Sipas saj, Haradinaj duhet të sqarojë çështjen e tarifave, që siç ka thënë më shumë dëmtojnë kryesisht shqiptarët në Kosovë, përcjell Koha.net.
“Çmimet me pakicë janë rritur me 5.3 për qind që nga futja e tarifave, deficiti i tregtisë së jashtme u rrit me 6.4 për qind, ka më pak punë, dhe kompanitë e tyre janë të paqëndrueshme”, ka thënë Bërnabiq, derisa ka shtuar se “është popullizmi ai që nxori këtë vendim” dhe se “veprime të tilla do ta çojnë Kosovën në vetë-izolim”.
“Nuk jam e lumtur ta shoh një gjë të tillë, sepse dëmtojnë serbët e Kosovës, shqiptarët dhe tërë rajonin”, ka thënë ajo.