Brnabiqit nuk po i pëlqen drafti i Statutit të Asociacionit, i hartuar nga FES

Prishtinë | 31 Jan 2023 | 17:05 | Nga Ekonomia Online

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, duke komentuar draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i prezantuar nga Fondacioni Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), ka thënë se nuk e kupton pse ndonjë organizatë joqeveritare duhet të merret me këtë.

Brnabiq ka thënë se edhe kur të formohet Asociacioni ai duhet të jetë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit.

“Faleminderit për ndihmën dhe mbështetjen tuaj, shpresoj të jetë qëllimmirë, por përsëri dihen kompetencat dhe përgjegjësitë e Asociacioni të komunave serbe. Janë të përcaktuara me marrëveshjen e vitit 2015, ekipi menaxhues është formuar në vitin 2018 dhe nisi të punojë në statutin e Asociacionit”, tha Brnabiq.

Siç raportojnë mediat serbe, ajo ka theksuar se “Kosova ka marrë mirënjohje në raportin e progresit nga Brukseli dhe Komisioni Evropian në vitin 2018”.

“Të vazhdojmë rrugën që është përcaktuar në vitin 2015 dhe 2018 dhe le të punojnë ata njerëz që duhet të punojnë në themelimin e Asociacionit në përputhje me kompetencat e përcaktuara me marrëveshjen nga viti 2015”, tha Brnabiq.

Organizata gjermane, Friedrich-Ebert- Stiftung (FES) në partneritet me Institutin Evropian për Paqe (EIP), ka prezantuar të hënën një draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Sipas këtij draft-statuti, Asociacioni do të jetë si person juridik i themeluar në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës.

Aty theksohet se Asociacioni/Bashkësia do të ketë simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën dhe flamurin, të cilat do të dizajnohen nga Bordi i Asociacionit/Bashkësisë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Qeverisje Lokale. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme