Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, e shoqëruar nga ministrat e kabinetit qeveritar, vendosi kurora lulesh në oborrin e qeverisë, ku ish-kryeministri Zoran Gjingjiq u qëllua për vdekje 16 vjet më parë.
Shefja e Qeverisë serbe kurorat i vendosi në prani të ministrave Nebojsha Stefanoviq, Aleksandar Antiq, Zorana Mihajloviq, Sinisha Mali, Nenad Popoviq, Mladen Sharçeviq, Vanja Udoviçiq, Nela Kuburoviq, Slavica Gjukiq- Dejanoviq dhe sekretari i shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme Veljko Odaloviq, transmeton Klan Kosova.
Gjingjiq është vrarë më 12 mars të vitit 2003 nga një snajperist pranë ndërtesës së Qeverisë në qendër të Beogradit.
Organizatori i vrasjes, Millorad Ulemek Llegija, dhe snajperisti Zvezdan Jovanoviq janë dënuar me nga 40 vjet burgim.
Ai ka qenë kryeministri i parë serb i zgjedhur pas rënies së regjimit të Sllobodan Millosheviqit në vitin 2000.