Besa Famgas e ka humbur me 11 gola dallim takimin e parë të rrethit të dytë të Kupës së EHF-së në hendboll. Kampionia e Kosovës në hendboll, Besa të dielën mbrëma pësoi në udhëtim nga skuadra norvegjeze Drammen me shifrat 37:26. Te ekipi pejan kanë vlerësuar se humbja megjithatë është më e lartë se që ishte dallimi i skuadrave në cilësi.
Drammeni është nënkampion i Norvegjisë, një vend ky me hendboll shumë të zhvilluar, dhe vlerësohej favorit i madh para ndeshjes. Drammeni thuajse e ka siguruar kalimin në rrethin e tretë, por te Besa janë të përkushtuar që në ndeshjen e dytë të marrin rezultat pozitiv. Ndeshja e kthimit luhet të shtunën në palestrën “Karagaçi” në Pejë, shkruan sot Koha Ditore.
“Duke u bazuar në atë se çfarë kundërshtari kemi pasur përballë, mund të them se kemi zhvilluar një ndeshje të mirë. Më vjen keq që rezultati nuk është pasqyrë reale e ndeshjes, sepse diferenca në mes skuadrave nuk ishte aq e madhe. Për ndeshjen e kthimit na mbetet që të punojmë shumë, që të përmirësojmë gabimet e ndeshjes së parë. Shpresojmë që në Pejë të kemi një rezultat pozitiv”, ka thënë pivoti Kastriot Jupa.