Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besiane Musmurati ka deklaruar se rezultati zgjedhor në Prishtinë është dëshmi e mbështetjes së qytetarëve për vizionin e PDK-së, duke theksuar se partia do të vazhdojë angazhimin për zhvillimin e kryeqytetit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Musmurati tha se besimi i qytetarëve e obligon PDK-në të vazhdojë punën në shërbim të Prishtinës, ndërsa rezultatin zgjedhor e interpretoi edhe si një mesazh për Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Socialdemokrate.
“Vizionin e PDK-së në Prishtinë e kanë përkrahë qytetarët e Prishtinës dhe besimi qytetar na ka veshur me obligim e dëshirë për shërbim në të mirë të qytetit. I njëjti rezultat zgjedhor ua ka treguar vendin edhe Lëvizjes Vetëvendosje, edhe Partisë Socialdemokrate”, ka shkruar Musmurati.
Ajo shtoi se PDK nuk do të tërhiqet nga angazhimi i saj për përmirësimin e kushteve në çdo lagje të kryeqytetit.
“Nuk fshihemi dhe nuk zbrapsemi nga misioni ynë: çdo lagje të Prishtinës ta përmirësojmë e ta bëjmë më funksionale. Askush nuk mund të na ndalë që punët e mira të PDK-së në qytet t’i vazhdojmë”, ka shtuar Musmurati.