90 minuta elektrizuese mes Liverpoolit dhe Manchester Unitedit janë mbyllur me barazim 0-0.
Shumë yje në fushë, por asnjë prej tyre nuk arriti të shënonte një gol që do t’i jepte vlerën e duhur kësaj ndeshjeje, e cila mbajti të mbërthyer tifozët në impiantin “Anfield”.
Pjesa e parë rezervoi një futboll të bukur me asnjë prej ekipeve në kontroll të plotë, por portierët ishin të impenjuar në maksimum, duke mbrojtur portat e tyre të paprekura.
Zlatan Ibrahimoviq dhe Pogba tentuan të bëjnë diçka, por pa mundur dot të prishnin ekuilibrat. Në pjesën e dytë Liverpooli pati disa shanse të pastra shënimi, por ishin ndërhyrjet e David de Geas që evituan disfatën e Unitedit.
Në minutën 59, portieri spanjoll i mohoi golin Emre Can në një ndërhyrje të bukur, ndërsa bëri mrekullinë pak minuta më vonë. Në të 71-ën, Coutinho tentoi një goditje spektakolare nga 30 metra, por përgjigja e De Geas fitoi edhe duartrokitjet e tifozëve të Liverpool-it.
Ofensiva finale e vendasve nuk arriti të çajë prapavijën e Unitedit, me barazimin që mbretëroi deri në fund.