Beteja egoiste e Donald Trumpit për një firmë gjermane, që po hulumton për një vaksinë kundër Coronavirusit

Prishtinë | 15 Mar 2020 | 16:00 | Nga Ekonomia Online

Mediat gjermane njoftojnë se Trump u ka ofruar para të majme shkencëtarëve të një firme në Tübingen për t’ia dhënë të drejtat ekskluzive të një vaksine të mundshme kundër koronavirusit. Kjo ka ngjallur protesta të ashpra të politikanëve gjermanë.

Firma gjermane “CureVac” me seli në Tübingen është duke punuar në një vaksinë kundër koronavisurit. Kjo ndërmarrje është duke hulumtuar bashkë me institutin Paul Ehrlich, i cili është pronë e shtetit gjerman. Ndërkohë, sipas gazetës “Welt am Sonntag”, është lajmëruar Donald Trumpi dhe shkencëtarëve gjermanë u ka ofruar para të majme që ata të shkojnë në SHBA ose që firma “CureVac” t’ia japë palës amerikane të drejtat ekskluzive të kësaj vaksine.

Qeveria gjermane është duke negociuar me firmën “CureVac” që të drejtat ekskluzive të vaksinës të mos i jepen SHBA-ve. Një zëdhënës i ministrisë së Shëndetësisë të Gjermanisë tha se qeveria gjermane është e interesuar që vaksina kundër virusit të koronës të zhvillohet në Gjermani dhe Europë. Eksperti i shëndetësisë nga partia socialdemokrate gjermane, Karl Lauterbach, tha se “shitja ekskluzive e një vaksine eventuale Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet të pengohet me çdo mjet. Kapitalizmi ka kufi”.

Eksperti i ekonomisë i socialdemokratëve gjermanë, Gert Westphal, tha se “tani bëhet fjalë për interesa gjermane dhe europiane. SHBA-të kanë vendosur të izolohen nga bota dhe për ‘America first’ dhe rrjedhimisht kundër bashkëpunimit multilateral. Për këtë arsye ‘CureVac’ po qe nevoja duhet të përkrahet edhe nga buxheti”. Deputetja e socialdemokratëve, Bärbel Bas, deklaroi: “Këtu bëhet fjalë për çështje etike, jo ekonomike apo nacionale. Nëse ekziston një vaksinë, ajo duhet të jetë në dispozicion të të gjithëve. Gjithçka tjetër do të ishte skandal. Në raste të pandemisë duhet të merren parasysh të gjithë njerëzit dhe jo vetëm ‘America first’”. Ditë më parë qeveria gjermane ndau 140 milionë euro për të përkrahur shkencën në hulumtime për një vaksinë kundër koronës.

Ministra për çështje europiane e landit të Hessenit Lucia Puttrich, e cila vjen nga partia konservatore CDU, kritikoi qasjen e ftohtë si akulli dhe të pamëshirshme të Trumpit. “Trump nuk duhet të lejohet që shëndetin e mijëra njerëzve dhe shqetësimin e miliona njerëzve ta shndërrojë në objekt të një pazari të pandershëm. Qëllimi është që të ndihmohen sa më shumë njerëz. Bëhet fjalë për nder dhe moral gjatë krizës. Kjo ka të bëjë edhe me firmën në fjalë”, tha Puttrich. Sipas gazetës “Bild” Trump ka ofruar një miliardë dollarë për të blerë firmën “CureVac”.

Të ngjashme