Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Ministria e Diasporës nënshkruan memorandum bashkëpunimi me qëllim të dërgimit të librave shqip në vendet e diasporës shqiptare.
Kjo iniciativë sipas ministrit të Diasporës, Valon Murati, erdhi pas kërkesave të shumta që kishin nga diaspora dhe vendet ku ka shqipfolës në Evropë.
“Me këtë marrëveshje kemi për qëllim ruajtjen e identitetit, kulturës shqipe. Fondi për të dërguar librat shqip në diasporë në bashkëpunim me bibliotekën është që t’i dërgojmë librat në diasporën tonë dhe kudo që jeton diaspora shqiptare. Ata kanë kërkuar që të kenë në biblioteka, shkolla e vende të tjera kanë kërkuar që të kenë tituj shqip të librave”, ka thënë Murati.
Në anën tjetër ministri i Kulturës dhe ai Arsimit në Kosovë, shprehën gatishmërinë e tyre për të përkrahur këtë projekt i cili ndihmon afirmimin e diasporës shqiptare me kulturën dhe arsimin shqiptar.
“Ne përkrahim këtë iniciativë dhe jemi munduar të krijojmë edhe një komunikim me qytetet shqiptare jashtë Kosovës. Kemi kontingjentin e librave nga viti i kaluar për Bujanovcin dhe Preshevën, librat janë gati për të shkuar në atë pjesë por marrëdhëniet me Serbinë s’po e lejojnë që kjo të bëhet e mundur. Këto janë politikat e qeverisë ne jemi bashkë sepse kjo marrëveshje na lidh neve si dikaster”, ka thënë ministri Kujtim Shala.
Në anën tjetër ministri Arsim Bajrami tha se do të bëjnë çmos që libra për diasporën të dërgojë edhe Akademia e Shkencave të Kosovës.
“MAShT furnizon të gjitha shkollat në Kosovë me tekstet shkollore. Ky projekt do të jetë mundësi e mirë që të gjitha botimet t’i dërgojë drejt diasporës. Po shpresoj shumë që edhe Akademia e Shkencave me iu bashkëngjit kësaj iniciative në mënyrë që të jap kontributin e saj me një sasi të librave dhe materialeve të cilat ata kanë në dispozicion”, ka thënë Bajrami.
Se kur këto libra do të marrin rrugën për në bibliotekat e diasporës shqiptare ende nuk dihet, por që ministria e Diasporës shpreson që zbatimi këtij memorandum të fillojë shumë shpejt.