Biden i shkruan Bislimit: Miqësinë me Amerikën duhet ruajtur si sytë e ballit

Prishtinë | 03 Nën 2022 | 09:36 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Faton Bislimi, ka pranuar një letër nga presidenti amerikan, Joe Biden,

Bislimi e bëri këtë të ditur përmes një postimi në Facebook ku ka sqaruar se kjo letër vjen pas asaj që i kishte dërguar Bidenit në shtator të këtij viti për të shprehur solidaritet në 21 vjetorin e tragjedisë së 11 shtatorit.

Ai tha se në këtë letër ia kishte rikujtuar presidentit amerikan se shqiptarët janë populli më pro-amerikan në botë.

“Premtimi i Amerikës është real dhe veç sa ka filluar…” shkruan Presidenti Biden në letrën e adresuar për mua! Sot kam pranuar një letër nga Presidenti i SHBA-ve dhe miku i madh i shqiptarëve, z. Joe Biden, nder ky që jo lehtazi mund të përshkruhet me fjalë! Kjo letër e Presidentit Biden vije si përgjigje ndaj një letre që unë i kisha dërguar atij pikërisht më 11 shtator 2022 për të shpreh solidaritetin tim dhe të shqiptarëve në përgjithësi për përvjetorin e tragjedisë së 11 shtatorit. Në letër i kisha rikujtuar z. Biden se shqiptarët janë populli më pro-amerikan në botë dhe aleati më i sinqertë e i përkushtuar i Amerikës në Evropë”.

Faton Bislimi ka dhënë detaje edhe se çka shkruan në letrën që e ka pranuar nga i pari i ShBA-së.

“Letrën e tij Presidenti Biden e nisë me “I dashur Dr. Bislimi, ju falëmnderoj për letrën tuaj përkrahëse,” duke shtuar se “Kur isha zgjedhur President, kisha premtuar se do të isha President i të gjithë amerikanëve.” Ndër të tjera, President Biden thekson që “gjithëçka është e mundur kur ne bashkohemi si një komb. Asgjë nuk është e paarritshme. Vec na duhet të mos harrojmë se kush jemi”.

“Duke potencuar se ka ende shumë punë për të bërë, Presidenti Biden shkruan: “Jam më i bindur se kurdo herë më parë që shpirti i Amerikës është vibrant, e ardhmja e Amerikës është e ndritur, dhe premitimi i Amerikës është real dhe veç sa ka filluar,” në letrën e tij të cilën me shumë kënaqësi e pranova sot”.

Ai tha se “kjo letër është një testament i vlerësimit të punës sime për kauzën tonë kombëtare në Washington, D.C. tash e dy dekada”.

“Letra e Presidentit Biden, sot i shtohet një vargu letrash, çmimesh, e mirënjohjesh të tjera që kam pranuar nga personalitete të larta të politikbërjes amerikane. Miqësia jonë me Amerikën ndërtohet tutje vetëm mbi vlera, përkushtim, dhe respekt, dhe duhet ruajtur si sytë e ballit”.

Anëtari i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka shkruar po ashtu edhe për kontributin e Joe Biden, si senator dhe Kryetar i Komiteti për Punë të Jashtme në senatin amerikan, për Kosovën e lirë dhe të pavarur.

“Si Senator dhe Kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit të SHBA-ve, z. Biden kishte qenë një zë shumë kumbues, argumentues, dhe përkrahës ndaj Kosovës dhe përpjekjes sonë për liri, demokraci e pavarësi. Duke bashkëpunuar ngushtë me Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane nën lidershipin e z. Joe DioGuardi e znj. Shirley Cloyes DioGuardi, Biden ishte bërë promotor i kuazës sonë në Senatin e SHBA-ve. Andaj, na duhet gjithënjë një SHBA e fortë e në krye të tavolinës së lidershipit botëror, ashtu që ta kemi një Kosovë të fortë. Përkundër sfidave madhore të brendëshme e globale me të cilat ballafaqohet Amerika, z. Biden i kisha kërkuar që të vazhdojë përkushtimin e tij dhe të SHBA-ve karshi Kosovës dhe shqiptarëve”, ka shkruar ai, njofton Klankosova.tv.

Të ngjashme