Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka thënë se ne jemi në një “dekadë vendimtare” për të trajtuar ndryshimin e klimës, në samitin që aktualisht po mbahet me udhëheqësit më të fuqishëm botëror, njofton BBC.
SHBA-ja është zotuar të ulë emetimet e karbonit me 50-52% nën nivelet e vitit 2005 deri në fund të kësaj dekade.
Ky objektiv i ri, i cili u zbulua në një samit virtual me 40 liderë globalë, në thelb dyfishon premtimin e tyre të mëparshëm.
Amerikanët shpresojnë që plani i tyre ambicioz i ri do të inkurajojë Kinën, Indinë dhe të tjerët të shkojnë më tej përpara takimit vendimtar të COP26, në Glasgow në nëntor.
Por do të ketë një farë skepticizmi në lidhje me aftësinë e SHBA-së për të përmbushur objektivin e saj të ri, duke pasur parasysh natyrën e ndarë të politikës amerikane.
“Shkencëtarët na thonë se kjo është dekada vendimtare – kjo është dekada që ne duhet të marrim vendime që do të shmangin pasojat më të këqija të krizës së klimës”, ka thënë presidenti Biden në fjalimin hapës të samitit.
“Ne duhet të përpiqemi të mbajmë temperaturën e Tokës në një rritje prej 1.5C. Bota përtej 1.5 gradë do të thotë zjarre më të shpeshta dhe intensive, përmbytje, thatësira, valë të nxehtësisë dhe uragane – nëpër komunitete, duke dëmtuar jetën dhe jetesën”, deklaroi ai.