Presidenti Joe Biden u shpreh i zhgënjyer mbi ngadalësimin e nivelit të vaksinimit kundër COVID-19 në Shtetet e Bashkuara dhe u shpreh se është “tejet e rëndësishme” për amerikanët që të vaksinohen kundër virusit ndërsa infeksionet po rriten përsëri.
Duke folur gjatë një takimi me pyetje-përgjigje nga publiku, në Cincinnati të shtetit të Ohajos, Presidenti Biden tha se kriza e shëndetit publik është kthyer kryesisht në një problem tek të pavaksinuarit. “Ne kemi një pandemi mes atyre që nuk i kanë bërë vaksinat është kaq e thjeshtë”, tha ai gjatë takimit të transmetuar nga rrjeti televiziv CNN.
Presidenti gjithashtu shprehu optimizëm se në muajt e ardhshëm autoritetet do ta miratojnë vaksinën për përdorim edhe tek fëmijët nën moshën 12 vjeç. Por ai kritikoi ata amerikanë që gëzojnë të drejtën të vaksionohen që ende hezitojnë ta marrin atë. “Nëse jeni të vaksinuar, nuk do të shtroheni në spital, nuk do të futeni në njësinë kujdesit intensiv dhe nuk do të vdisni”, tha Biden në forumin e Universitetin Mount St. Joseph. “Pra është tejet e rëndësishme që ne të gjithë të veprojmë si amerikanë që të kujdesemi për njëri-tjetrin”
Deklarata e presidentit vjen ndërsa në Shtetet e Bashkuara rastet me COVID-19 gati u trefishuan gjatë dy javëve të fundit mes një sulmi me informacione të rreme rreth vaksinave që po mbingarkon spitalet e po lodh mjekët. “Stafi ynë është i zhgënjyer”, thotë Chad Neilsen, drejtor i parandalimit të infeksioneve në “UF Health Jacksonville”, një spital në Florida, që po anulon operacionet e të tjera procedura për shkak të rritjes së numrit të pacientëve të pavaksinuar e të infektuar me COVID-19, që janë shtruar aty. Sot në këtë spital janë 134 pacientë me COVID, nga një minimum prej 16 personash në mesin e muajit maj.
Në të gjithë SHBA-në, mesatarja javore e rasteve të reja ditore u rrit gjatë dy javëve të fundit në më shumë se 37,000 të martën, nga më pak se 13,700 në 6 korrik, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins. Zyrtarët e shëndetësise ia hedhin fajin variantit delta si dhe ngadalësimit të normave të vaksinimit. Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve vetëm 56.2% e amerikanëve kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.
Në Luiziana, zyrtarët e shëndetësisë raportuan 5,388 raste të reja me COVID-19 të mërkurën, shifra e tretë më e lartë ditore që nga fillimi i pandemisë në fillim të vitit 2020. Shtrimet në spital u rritën në 844 në të gjithë shtetin, nga 600 që ishin në mesin e muajit qershor. Autoritetet në Nju Orlins u kërkuan banorëve të rifillojnë të mbajnë maska brenda.
Utah raportoi 295 persona të shtruar në spital për shkak të virusit, shifra më e lartë që nga muaji shkurt. Gjatë javës së fundit në këtë shtet janë konfirmuar mesatarisht rreth 622 raste të reja në ditë, rreth trefishi i infeksioneve të shënuara në fillim të qershorit. Të dhënat shëndetësore tregojnë se rastet e reja janë pothuajse tërësisht të lidhura me njerëz të pavaksinuar.
Jeremy Johnson, pastori kryesor i një prej kishave më të mëdha të Misurit, flet rreth arsyeve që japin besimtarët për të mos u vaksinuar kundër COVID-19. Ai thotë se dëshiron që ata të dinë se jo vetëm është diçka e mirë që ata të vaksinohen, por se kjo është një gjë që Bibla e nxit. “Mendoj se një pjesë e madhe vjen prej frikës”, thotë pastori Johnson. “Ata thonë: “unë kam besim tek Zoti, jo tek shkenca. Por e vërteta është se shkenca dhe Zoti nuk janë dy gjëra mes të cilave ata duhet të zgjedhin”.
Aktualisht shumë kisha në Mizuri kanë klinika vaksinimi. Ndërkohë, rreth 200 udhëheqës kishash kanë nënshkruar një deklaratë duke u kërkuar të krishterëve të vaksinohen. Të mërkurën ato njoftuan një fushatë në vijim të kësaj çështjeje. Kundërshtimi ndaj vaksinimit është veçanërisht i fortë mes protestantëve ungjillorë të bardhë, të cilët përbëjnë më shumë se një të tretën e banorëve të Misurit, sipas një raporti të vitit 2019 nga Pew Research Center.
Të mërkurën kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Bill de Blasio tha se punonjësve të spitaleve si dhe atyre që punojnë në klinikat shëndetësore që menaxhohen nga autoritetet e këtij qyteti, do t’u kërkohet të vaksinohen ose të testohen çdo javë, si pjesë e përpjekjeve për të luftuar rritjen e rasteve me COVID-19.
Urdhri i De Blasio nuk do të zbatohet për mësuesit, punonjësit e policisë apo punonjës të tjerë të qytetit, por është pjesë e një përqendrimi intensiv të autoriteteve tek nevoja për vaksinim ndërsa infeksionet me variantin Delta po rriten. Numri i dozave të vaksinave që injektohen çdo ditë në këtë qytet ka rënë në më pak se 18,000, nga një kulm prej më shumë se 100,000 dozash në fillim të prillit. Rreth 65% e të gjithë të rriturve janë plotësisht të vaksinuar, krahasuar me rreth 60% të personelit në spitalet publike./VOA