Presidenti i SHBA-së, Joe Biden do të takohet me krerët e krahut lindor të NATO-s të mërkurën për të treguar mbështetje për sigurinë e tyre pasi Moska pezulloi një traktat historik për kontrollin e armëve bërthamore.
Biden mbërriti në Varshavë të hënën vonë pas një vizite të papritur në Kiev vetëm disa ditë përpara përvjetorit të pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt të vitit 2022.
Gjatë periudhës së tensionit më të lartë midis Rusisë dhe Perëndimit në dekadat që nga Lufta e Ftohtë, Bideni iu drejtua mijëra njerëzve në qendër të Varshavës të martën dhe tha se “autokratë” si presidenti rus Vladimir Putin duhet të kundërshtohen.
Disa orë më parë, Putini dha komente të gjata të ngarkuara me kritika ndaj fuqive perëndimore, duke i fajësuar ato për luftën në Ukrainë. Putini gjithashtu u tërhoq nga traktati i ri START i kontrollit të armëve dhe paralajmëroi se Moska mund të rifillojë testet bërthamore.
Të mërkurën, Bideni do të takohet me stafin e ambasadës së SHBA-së në Varshavë përpara se të mbledhë liderët e nëntëshes së Bukureshtit, vendet në krahun lindor të NATO-s që iu bashkuan aleancës ushtarake perëndimore pasi u dominuan nga Moska gjatë Luftës së Ftohtë. Shumica janë ndër mbështetësit më të fortë të ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe zyrtarë nga vendet e grupit kanë kërkuar burime shtesë si sistemet e mbrojtjes ajrore, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Në takim, Bideni planifikon të riafirmojë angazhimet për sigurinë e tyre dhe të diskutojë mbështetjen për Ukrainën përpara se të kthehet në Uashington.
Rusia e konsideron NATO-n, e cila së shpejti mund të zgjerohet për të përfshirë Suedinë dhe Finlandën, si një kërcënim ekzistencial.
Mesazhi i presidentit lituanez Gitanas Nauseda për Bidenin do të jetë se ai dëshiron “përfshirje më të madhe të SHBA-së në Evropë, krahun lindor të NATO-s dhe, natyrisht, më shumë ndihmë për Ukrainën,” i tha radios lituaneze të martën këshilltari i tij kryesor për politikën e jashtme.
“Lituania dhe vendet e tjera me të njëjtin mendim kanë disa kërkesa, të cilat kanë të bëjnë me mbrojtjen ajrore, praninë e mbrojtjes përpara, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe investime më të mëdha në industrinë e mbrojtjes”, tha Asta Skaisgiryte.
Ish-republika sovjetike në pragun e Rusisë u bashkua me NATO-n në vitin 2004 dhe planifikon të presë Bidenin në korrik për samitin e liderëve të aleancës së sigurisë.