Bideni nominon gjykatësin Merrick Garland për Prokuror të Përgjithshëm

Prishtinë | 06 Jan 2021 | 20:27 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, ka nominuar gjykatësin federal të apelit Merrick Garland për Prokuror të ardhshëm të Përgjithshëm, ka njoftuar të mërkurën një zyrtar i ekipit transitor të demokratit.

Shumica e amerikanëve e mbajnë mend Garlandin nga koha kur ishte nominuar për Gjykatën Supreme nën administratën e presidentit Barack Obama, por që emërimi i tij ishte bllokuar nga republikanët. 68-vjeçari Garland kishte shërbyer si gjykatës në Gjykatën e Apelit në qarkun e Columbias. Demokrati Obama e kishte nominuar si anëtar të Gjykatës Supreme më 2016, derisa Bideni ishte nënpresident.

Por Senati i asaj kohe, i kontrolluar nga republikanët, kishte refuzuar mbajtjen e seancës dëgjimore për emërimin e tij. Biden, i cili do të vije në krye të Shtëpisë së Bardhë brenda dy javësh, synon gjithashtu që ta emërojë veteranen e Departamentit të Drejtësisë, Lisa Monaco, si zëvendësprokurore të Përgjithshme ndërsa Kristen Clarken për ndihmësprokurore të Përgjithshme për Divizionin e të Drejtave Civile, kanë thënë zyrtarët. Gjatë fushatës së tij zgjedhore, Bideni ishte zotuar që të ndërmarrë veprime për ta çrrënjosur pabarazinë në dënime, nëpërmjet eliminimit të dënimeve minimale mandatorë, duke u dhënë fund kësisoj dënimeve federale me vdekje dhe duke e rikthyer rolin e Departamentit të Drejtësisë për hetimin dhe mbajtjen përgjegjës të departamenteve policore për “keqveprime sistematike”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme