Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, tha se vendi i tij do ta mbrojë Tajvanin, nëse Kina do ta sulmonte këtë ishull.
“Po, ne kemi një zotim për ta bërë këtë”, tha ai, kur u pyet nëse Shtetet e Bashkuara do ta mbronin Tajvanin, shkruan BBC.
Por një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë më vonë u tha disa medieve amerikane se deklarata e presidentit nuk përbën ndryshim të politikave.
ShBA-ja për një kohë të gjatë ka praktikuar “paqartësi strategjike”, kur bëhet fjalë për çështjen e ndjeshme për mbrojtjen e Tajvanit.
Kjo ka nënkuptuar që ShBA-ja qëllimisht ka qenë e paqartë rreth asaj se si do të vepronte, nëse Kina do ta sulmonte Tajvanin.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrëdhënie zyrtare diplomatike me Tajvanin, por i shesin armë si pjesë e Aktit për Raportet me Tajvanin, sipas të cilit ShBA-ja duhet ta ndihmojë ishullin për ta mbrojtur veten.
Tensionet mes Tajvanit dhe Kinës janë rritur në javët e fundit, pasi forcat kineze u futën me dhjetëra aeroplanë luftarakë disa herë në zonën e mbrojtjes ajrore të ishullit.