Spitali i Vushtrrisë ka nisur të dëmtohet vetëm një muaj pas përurimit. Investimi i 7 milion eurove nga Emiratet e Bashkuara Arabe për të rinovuar këtë spital që mban emrin e Sheikut Zayed, ende pa marr pamjen e duhur funksionale, ka filluar të dëmtohet.
Fati e ka shpëtuar personelin e QKMF, që në kuadër të këtij spitali kryen shërbimet e emergjencës.
Rreth orës 15, në hapësirat e repartit të Emergjencës ka rënë tërësisht plafoni, me ç rast nga pëlcitja e gypave të nxemjes është shkaktuar një kontakt edhe me rrjetin elektrik, për çka është dashur të intervenojë Njësia e Zjarrëfikësve.
Në QKMF thonë se në momentin kur është rrezuar plafoni nuk ka pasur pacientë në repartin e Emergjencës, por gjithë personeli mjekësor është dashur të evakuohet.
Shërbimet e emergjencës, thonë këtu, deri në sanimin e dëmeve dhe gjendjes së krijuar, do të jepen në QKMF.