Eksportet edhe ashtu minimale të Kosovës në drejtim të Serbisë kanë shënuar rënie për afër 50 për qind që nga vendosja e taksës doganore 100 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia.
Brenda një muaji nga vendosja e taksës fillimisht 10 për qind dhe me pas 100 për qind, Kosova ka eksportuar në Serbi mallra në vlerë prej 2.7 milionë euro, ndërkohë në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar Kosova kishte eksportuar në Serbi produkte në vlerë prej mbi 4.5 milionë euro.
Produktet që Kosova eksporton në Serbi, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, janë kryesisht bujqësore.
Qeveria e Kosovës, më 6 nëntor me arsyetimin për mbrojtje të produkteve vendore vendosi taksë 10 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, derisa më 21 nëntor vendosi që këtë taksë ta rris për 100 për qind.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues të bizneseve thonë të mos jenë raportuar raste nga bizneset se mund të jenë shkaktuar ndonjë problem gjatë importit të produkteve të Kosovës në Serbi, por që sipas tyre, edhe tentativat e bizneseve të Kosovës për të eksportuar në Serbi vazhdojnë të jenë minimale.