Tregu i smartphone-ve ka pësuar rënie në tremujorin e parë 2019. Rënia e shitjeve, në tremujorin e parë, ishte 2,7% në nivel botëror, në 373 milionë njësi. Ky është përfundimi i Gartner, në raportin e tij periodik.
Dy vendet që shesin numrin më të madh të smartphone-ve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina, panë rënie të shitjeve, respektivisht me 15,8% dhe 3,2%, në tremujorin e parë të 2019. Në Evropë, situata nuk është më pozitive: Sipas Idealo.it, rënia është më e fortë në Itali (-38,2%), në Mbretërinë e Bashkuar (-15,8%) në Spanjë (-10,7%) dhe në fund -9,5% në Francë. Dy vendet e vetme, ku situata është në kontrast janë Austria (+1,1%) dhe Gjermania (+26,8%), transmeton ‘monitor’.
Kjo situatë është pasojë e dy faktorëve kryesorë: Së pari, kërkesa për smartphone ‘Premium’, d.m.th. ata të fashës së lartë, ka shënuar tkurrje të fortë, përkundrejt kërkesës në rritje për smartphone të ashtuquajtur të fashës së ulët, ose ndryshe pajisje me funksione të avancuara, me ekran 4 inç dhe rezolucion 720 piksel ose më shumë, shpesh me procesor dualcore, si dhe një email të integruar, social networking dhe Voice over Internet Protocol.
Së dyti është norma e zëvendësimit, për shkak të ngadalësimit të ofertës së produkteve inovative të disponueshme në treg. Për shembull, rasti i Samsung Galaxy Fold i ka bërë përdoruesit ta shtyjnë blerjen e një pajisje të re.
Këtyre dy faktorëve u shtohet dhe një i tretë – kërkesa për smartphone utility – d.m.th. pajisje me kosto të ulët, është në rënie, përcjell albinfo.ch.
Këtë rënie e ndiejnë më shumë Samsung dhe Apple – që kanë hedhur në treg smartphone të fashës së lartë. Pavarësisht masave të marra nga SHBA, Huawei ruan pozicionin e tij në vend të dytë në botë – për shkak të një oferte të larmishme – nga pajisje ‘Premium’ te produkte të fashës së ulët. Hendeku me Samsung, që ruan vendin e parë, gjithsesi është duke u reduktuar.
Huawei ka pasur rritjen më të lartë në vit ndër pesë prodhuesit e parë në botë, prej 44,5% të shitjeve të smartphone-ve, në 58,4 milionë njësi. Shitjet e pajisjeve të Huawei janë rritur në të gjithë vendet. Kjo ndihet veçanërisht në Evropë dhe Kinë, ku shitjet e smartphone-ve janë rritur respektivisht me 69% dhe 33%. Në Kinë, shumëkombëshja ka arritur një kuotë tregu prej 29,5%. Nëse Google ndërpret shërbimet tek smartphone Huawei, – nëse masa do të hyjë në fuqi, do të trondisë biznesin e smartphone-ve te kompania Huawei.
Këto ditë, kërkimet për produkte Huawei kanë rënë ndjeshëm në të gjithë Evropën: Mbretëri e Bashkuar (-77,8%), Spanjë (-67,1%), Itali (-64,8%), Francë (-55,9%), Austri (-36,1%) dhe në fund Gjermani (-13,0%).
Pavarësisht rënies së shitjeve të smartphoneve me 8,8% në tremujorin e parë 2019, Samsung mbetet furnizuesi numër një në botë, duke marrë rezultate të mira me modelin Galaxy S10. Megjithatë ndikimi i tij ka qenë i kufizuar, duke qenë se dërgesat e S10 kanë nisur vetëm në fund të tremujorit të parë.
Shitjet e iPhone gjatë kësaj periudhe kanë qenë rreth 44,6 milionë njësi, në rënie me 17,6% me bazë vjetore. Rënia e çmimeve të iPhone-ve ka kontribuar në rritjen e kërkesës, por jo mjaftueshëm sa të ndikojë në rezultate pozitive gjatë tremujorit të parë 2019.
Jo rastësisht, në klasifikimin e 5 kompanive që kanë shitur më shumë njësi, pas Samsung e Huawei, në vend të tretë është Apple. Ndërsa në vend të katërt dhe të pestë janë dy prodhues kinezë (Oppo dhe Vivo). Vivo ka lënë pas Xiaomi duke u renditur në vend të pestë në tremujorin e parë 2019. Vivo ka shitur 27,4 milionë smartphone në këtë periudhë, ndërsa Xiaomi 27,2 milionë.