BIK-ut i bëhet thirrje të hapë xhamitë, qytetarët më të rrezikuar nëpër markete e furra

Prishtinë | 08 Maj 2020 | 14:47 | Nga Albana Hajdari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mbyllja e xhamive pas përhapjes së Coronavirusit po vlerësohet si vendim i gabuar, që është marrë në panik, dhe ka dhënë një mesazh të keq për besimtarët, veçmas pas hyrjes në muajin e shenjtë të Ramazanit.

Profesori universitar, një praktikues i devotshëm i fesë islame, Milazim Krasniqi, tha për Ekonomia Online se mbyllja e tërësishme e xhamive ishte vendim i gabuar, pasi siç shprehet ai “rreziku i kontakteve është më i madh, psh në markete dhe furra të bukës”.

Ai kritikoi myftiun e Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, se ka marrë vendimin për mbylljen e xhamive për mos t’i dalë në kundërshtim Qeverisë Kurti. Pos kësaj, thotë ai se Bashkësisë Islame po i mungon vullneti dhe guximi për hapjen e xhamive.

Sipas Krasniqit, mundësia ka qenë që së paku një xhami të jetë e hapur si simbol që do të mundësonte edhe faljen e namazit nga anëtarët e këshillit.

“Nga fillimi është bërë një menaxhim në panik në alarm, pa analiza, pa e studiuar fare. Më lehtë iu ka ardhë për t’i mbyllur krejt, me shkolla, xhami e gjithçka. Ka qenë një gabim, ngjarjet po tregojnë së ka qenë gabim, sepse masat drastike kanë qenë në shpërpjesëtim me rrezikun. Janë mbyllur xhamitë pa pikë nevoje. Është dashur të rritet kujdesi, pasi mbyllja totale ka dhënë një mesazh të keq për besimtarët”.

“Ka qenë një presion e Qeverisë dhe myftiu po get nuk duron presionin ose është njëri që ka dëshirë me i pasë punët mirë me hyqmetin. Ka pasur mundësi me u lanë një simbol një xhami për me u falë anëtarët e Këshillit. Por mbyllja e tyre ka qenë gabim. Rreziku i kontakteve më i madh është në markete dhe furrat e bukës, ku njerëzit japin dhe marrin sesa në xhami”, ka thënë Krasniqi.

Mes tjerash, Krasniqi i bëri thirrje BIK-ut që të fillojë procedurën për hapjen e xhamive, që së paku në fund të muajit të Ramazanit t’iu mundësohet falja e Bajramit të gjithë besimtarëve.

Ai shtoi se në vendet evropiane përfshirë edhe rajonin kanë filluar hapjen e xhamive. Ai tha se duhet të bëhet dezinfektimi i xhamive, përpos kësaj sipas tij, falja e namazit mund të bëhet në oborret e xhamive të cilat kanë hapësirë për distancim social.

“Tani do duhej që Bashkësia Islame të bëjë kërkese serioze, e jo me fjalë, që të filloj procesi i hapjes së xhamive. Jemi në mesin e muajit të Ramazanit dhe do të ishte e njerëzishme që për pjesën e fundit besimtarët të kenë mundësi të shkojnë për faljen e namazit”.

“Ritmi i zakonshëm i faljes se taravive dhe jacisë në xhami është solemnitet, kjo është prishur. E mirëkuptoj rrezikun, por ka qenë një menaxhim në panik pa analiza të duhura. Kjo ka përfunduar… Tani ajo se çka duhet të bëhet është një fokusim në dezinfektimin e xhamive, ta bëjë një listë të njerëzve të këshillave që do duhej të frekuentonin. Falja e namazit jashtë për shkak të kohës, disa prej xhamive kanë oborre ku mund të falen 400-500 njerëz duke pasur distancim social. Ka forma, krejt çka mungon është vullneti dhe guximi i udhëheqësve të BIK-ut për të lëvizur në atë drejtim”.

“Janë hapur xhamitë në Slloveni, pastaj do të hapen në Kroaci e Gjermani. Në Shqipëri ka peticione për hapjen e xhamive. Derisa në Kosovë ende nuk kemi dëgjuar asnjë fjalë lidhur me këtë problem”, u shpreh Krasniqi.

Edhe për disa qytetarë që ka intervistuar Ekonomia Online është e paarsyeshme mbyllja e xhamive, kurse disa prej tyre thonë se duhet të vazhdojë kujdesi kundrejt virusit, raporton Ekonomia Online.

Qazim Durmishi tha se faljen e namazit po e bën në shtëpi, kurse thotë se mbyllja e xhamive është e paarsyeshme.

“Namazin në shtëpi po e fali. Inshallah hapen së shpejti nuk kemi çka më bërë. Sarajeva sot i ka hapur xhamitë, Qeveria e ka në dorë me vendosë. Nuk ka qenë e arsyeshme me u mbyllë hiq se njeriu kur shkon në xhami shkon i pastër”, tha ai.

Kurse Isuf Gashi u shpreh se duhet të vazhdoj kujdesi që mos të kthehet virusi përsëri.

“Po i falim namazet nëpër shtëpi. Këta dinë më mirë se na dhe duhet me iu largua këtij virusi. Nuk ka pasoja të mëdha sikur në vendet e tjera e duhet me u përshtat. Duhet me pas kujdes se po na kthehet përsëri virusi”, ka thënë Gashi.

Gjithashtu edhe Fatime Berisha thotë se institucionet e dinë më mirë rrezikshmërinë e virusit, por thotë ajo se tani me kthimin gradual në normalitet duhet të hapen edhe xhamitë sikur edhe bizneset e tjera, raporton EO.

“Duhet me qenë distancë është mirë me u mbyll. Pasi po qelën të gjitha është mirë edhe këto me u hap”, u shpreh ajo. 

Me lehtësimin e masave të marra kundër Coronavirusit, Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka paralajmëruar se do të fillojë të hapë xhamitë në bazë të rekomandimeve të IKShPK-së dhe vendimeve të MSh-së.

Të ngjashme