Bill Gates befason në Kinë, “Rishpik” tualetin

Prishtinë | 06 Nën 2018 | 13:50 | Nga Ekonomia Online

Filantropi miliarder dhe themeluesi i “Microsoft”-it, Bill Gates i kishte duart plot teksa u ngjit në skenë në Pekin, ku edhe tregoi një kavanoz me jashtëqitje njerëzore.

Inskenimi ishte pjesë e fjalimit të tij në shfaqjen “Tualeti i rishpikur”, një panair për teknologjitë e reja të tualetit.

Fondacioni Bill dhe Melinda Gates ka shpenzuar më shumë se 200 milionë dollarë për kërkime në këtë fushë, përgjatë 7 viteve të fundit. Plot 20 pajisje sanitare të reja u ekspozuan dhe të gjitha ato kishin si qëllim shkatërrimin e baktereve të dëmshme dhe parandalimin e sëmundjeve, transmeton tch.

“Më duhet ta them. Një dekadë më parë nuk e kisha imagjinuar se do të dija kaq shumë për jashtëqitjet…dhe nuk e kisha menduar asnjëherë se Melinda do të më kërkonte të mos flisja për tualetin në tavolinën e darkës”, tha Bill Gates.

Sipërmarrësi ndihmoi në lançimin e panairit treditor në Kinë, ku udhëheqësi Xi Jinping e ka bërë të ashtuquajturin “revolucion të tualetit” një prioritet politik. Produktet e ekspozuara synojnë revolucionarizimin e teknologjisë sanitare, duke ndarë lëngjet dhe mbetjet solide dhe duke hequr produktet e dëmshme.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 2.3 miliardë njerëz në botë nuk kanë qasje në elementet sanitare bazë. Kjo mund të shkaktojë sëmundje si kolera, diarrea dhe dizenteria, që u marrin jetën qindra e mijëra njerëzve çdo vit.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme