Një eksperiment, që është realizuar në laboratorët e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, ka prodhuar biogas nga trajtimi i ujërave të zeza. Eksperimentin e kanë kryer ekspertë të UMIB-it, Universitetit “Van Hall Larenstein” nga Holanda dhe ekspertëve holandezë të shoqatës “PUM”-i
Në një eksperiment të realizuar në laboratorët e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë është prodhuar biogas nëpërmjet trajtimit të ujërave të zeza.
Ky eksperiment është kryer në kuadër të punëtorisë për “Trajtimin e ujërave të zeza”, që është organizuar nga Universiteti “Isa Boletini”, Universiteti “Van Hall Larenstein” nga Holanda dhe shoqata e ekspertëve holandezë “PUM”-i.
Koordinatori i kësaj punëtorie, në të cilën po ligjërojnë ekspertë holandezë, prorektori për Marrëdhënie me Jashtë në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, Rifat Morina, tha se pjesëmarrësit po përgatiten që në të ardhmen nëpërmjet trajtimit të ujërave të zeza të prodhohet biogas.
“Ky proces mundëson trajtimin e ndotjes dhe prodhimin e biogasit, duke bërë që të ulet edhe kostoja e trajtimit të ujërave të zeza”, tha Morina për Gazetën Zëri.
Sipas tij, ideja është që në të ardhmen ujërat e zeza të shihen si lëndë e parë për prodhimin e biogasit dhe produkteve tjera dhe jo si diçka të dëmshme.
“Është një eksperiment që për herë të parë po realizohet tek ne, prej së cilës nuk do të përfitojnë vetëm pjesëmarrësit në këtë punëtori, por edhe shoqëria jonë në përgjithësi, meqë po përgatitemi me kuadro që të përballemi me sfidat që paraqet trajtimi i ujërave të zeza”, shtoi ai.
Në punëtori po marrin pjesë rreth 30 veta, në mesin e të cilëve ka studentë dhe profesorë nga Universiteti “Isa Boletini” dhe nga Universiteti i Prishtinës, pastaj ekspertë nga Ministria e Mjedisit, industria e qumështit, kompanitë rajonale të ujërave e të tjerë.