Monitoruesit e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), të cilën në Kosovë e udhëheqë Jeta Xharra, dhe partneri i saj “Internews Kosova”, thonë se kanë ndjekur me vëmendje fushatën e subjekteve politike për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, prej nga kanë evidentuar deri më sot 56 raste të shkeljeve të pretenduara, 27 prej të cilave janë aprovuar si të bazuara nga PZAP-i.
66 mijë e 900 euro është shuma e përgjithshme e gjobave të shqiptuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ndaj partive që garojnë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit si rezultat i ankesave të parashtruara nga BIRN dhe Internews Kosova – I/KS.
1. Lidhja Demokratike e Kosovës- 8 ankesa të aprovuara me një total të gjobave 18, 850 euro
2. Partia Demokratike e Kosovës – 6 ankesa të aprovuara me një total prej 14,850 eurove
3. Alternativa – 4 ankesa të aprovuara me vlerë prej 11, 300 eurove
4. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – 3 gjoba me vlerë 8, 500 euro
5. Aleanca Kosova e Re – 3 gjoba me vlerë 8100 euro
6. Lëvizja Vetëvendosje – 2 gjoba me vlerë 3500 euro
7. NISMA – 1 gjobë me vlerë 1800 euro
Pjesa dërrmuese e shkeljeve të bëra kanë konsistuar në përfshirjen e personave nën 18 vjeç në fushatë, ku për këtë lloj shkeljeje janë shqiptuar gjithsej 47,850 euro. Është për t’u përmendur fakti se PZAP-i, për herë të parë qëkur organizohen zgjedhjet në Kosovë, duke vendosur sipas ankesave të parashtruara nga BIRN dhe I/KS, ka ndëshkuar partitë politike për përdorimin e fëmijëve në aktivitete zgjedhore. Për përfshirje aktive të fëmijëve në fushatë PZAP-i ka gjobitur partitë politike në plot 18 raste.
Prezenca e personave nën 18 vjeç, Lidhjes Demokratike të Kosovës i ka kushtuar me gjobë të vlerë të përgjithshme prej 17,350 eurove. Kandidati i LDK-së për Podujevën, Agim Veliu është gjobitur dy herë për të njëjtën shkelje me plot 6,200 euro. Për këtë shkelje PZAP-i ka gjobitur edhe katër kandidat të tjerë të LDK-së për kryetar komunash. Ndër ta, Muharrem Svarqën me 3,100 euro, Lutfi Hazirin me 3,050 euro dhe Bajrush Ymerin me 3,000 euro.
Në katër raste për përfshirje të fëmijëve në fushatë është gjobitur edhe Partia Demokratike e Kosovës në vlerë të përgjithshme prej 11,000 eurove. 3,000 euro i ka kushtuar kësaj partie një spot i publikuar në facebook nga Kadri Veseli, në të cilin shfaqen fëmijë. Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Lirak Çelaj është gjobitur me 3,500 euro për spotin e publikuar në të cilin janë përfshirë edhe fëmijë. Ndërkaq, me 2,500 euro është dënuar edhe dega e kësaj partie në Ferizaj për disa fotografi të fëmijëve me veshje me shenja identifikuese të PDK-së.
AAK-ja, ndërkaq, është dënuar me gjobë në dy raste të shkeljeve për përfshirje të fëmijëve në fushatë me një total gjobash prej 6,500 eurove. Një spot i AAK-së i shpërndarë në rrjetet sociale në të cilin shihet edhe një person i mitur, i ka kushtuar kësaj partie 3,000 euro. Spoti i kandidatit të Nismës për Kosovë për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha, në të cilin janë përfshirë edhe persona nën 18 vjet ka rezultuar me gjobë prej 1,800 eurove.
BIRN dhe I/KS thonë se do të vazhdojnë të ndjekin ditën e fundit të fushatës, ditën e heshtjes zgjedhore dhe procesin zgjedhor dhe të paraqesin ankesa për shkelje të mundshme.