Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë thirrje që procesit i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë të ndahet nga procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, raporton Ekonomia Online.
Ai këto deklarata i bëri në një konferencë të përbashkët me ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak, ku po ashtu potencoi nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës.
Bislimi theksoi se në procesin e dialogut, Kosova është palë dhe për aq kohë sa mendojnë që në proces diçka nuk ka shkuar sipas dinamikave që janë menduar që janë të rregullta, ai thotë se do të shprehen publikisht për këtë.
“Kemi ndarë shumë momente historike dhe suksese me qeverinë çeke. Më 15 dhjetor të vitit 2022, kryeministri Kurti në Pragë paraqiti aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE. Puna jonë me Republikën Çeke ka sjellë rezultate. Për shkak të këtij bashkëpunimi të shkëlqyeshëm ne kemi ngritur bashkëpunimin në nivelin e ambasadorëve me të drejta të plotë. Ne po ashtu kemi biseduar për masat aktuale kundër Kosovës. Pozita jonë është që masat duhet të hiqen, por më e rëndësishme është që procesi i dialogut të ndahet nga procesi i integrimit në BE”.
“Nuk jemi agjentë të BE-së por përfaqësues të institucioneve të Kosovës. Marrëveshja bazike ka 11 paragrafe, dhe asnjëra nga to nuk e mbizotëron paragrafin tjetër. Aneksi implementues kërkon që të gjitha prej tyre të zbatohen në tërësi, pa shtyrje, pa parakushte. Në këtë kontekst hapi i parë që po punon Kosova është dizajnimi i planit të sekuencimit të zbatimit”, tha ai.