Kabineti qeveritar ka miratuar sot propozim-vendimin për t’i kërkuar leje presidentes Vjosa Osmani që zëvendëskryeministri Besnik Bislimi të nënshkruajë për Kosovën Marrëveshjen Financiare IPA 2022 me Bashkimin Evropian.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kërkesa për t’i kërkuar autorizim presidentes lidhur me nënshkrimin e Marrëveshjes IPA 2022, është miratuar me shumicë të votave.
“Kjo marrëveshje synon që të krijojë bazën e nevojshme ligjore për zbatimin e projekteve që përfshihen në marrëveshjen IPA 2022”, ka thënë zv/kryeministri Bislimi në mbledhjen e qeverisë.
Marrëveshja IPA 2022 mes Kosovës dhe BE-së është e vlefshme 62 milionë euro, ka bërë të ditur Bislimi.
Ai ka thënë se mjetet do të përdoren për disa sërë projektesh në Kosovë.
Marrëveshja IPA 2022 mes Kosovës dhe BE-së pritet të nënshkruhet pasi qeveria të pranojë autorizimin për finalizimin e saj nga presidentja Osmani.