Bislimi ia nënvizon Lajçakut se hapja e Urës së Ibrit duhet të bëhet pa vonesa

Prishtinë | 06 Sht 2024 | 12:59 | Nga Ekonomia Online

Zëvedëskryeministri Besnik Bislimi i ka bërë të qartë emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, se Ura e Ibrit duhet të hapet pa vonesa dhe pa pengesa të mëtejme ashtu siç është rënë dakord në Bruksel.

Sipas njoftimit të qeverisë, në takimin mes Bislimit dhe Lajçakut, temat kryesore ishin dakordimi dhe përgatitjet për takimin e radhës në nivel të kryenegociatorëve, zhvillimet rreth hapjes së urës mbi lumin Ibër dhe rruga përpara në planin e sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.

“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se hapja e urës kryesore të Mitrovicës mbi Ibër është çështje e trajtuar dhe dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese dhe konkluzioneve të vet raportit të Komisionit Evropian të vitit 2020, që vlerëson se punimet në urë kanë përfunduar dhe ajo duhet të hapet pa vonesa dhe pa pengesa të mëtejme”.

“Ai nënvizoi se Qeveria së Republikës së Kosovës në vazhdimësi është angazhuar si palë konstruktive në dialog. Si e tillë ajo mbetet e përkushtuar për zbatim të plotë e të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit dhe e bindur që nënshkrimi i saj është garanca e duhur dhe nevojshme për zbatimin e plotë nga Serbia dhe llogaridhënien për shkeljet e vazhdueshme prej saj”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Të ngjashme