Bislimi (LDK) – Rexhajt (VV): A e di që Hoti në aspektin akademik ta lë flejt Vuçiqin

Prishtinë | 24 Kor 2020 | 19:03 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i LDK-së Faton Bislimi ka thënë se dialogu është çështje e interesit nacional të Kosovës dhe jo një çështje e kryeministrit apo partive në pushtet.

“Është e kuptueshme se roli i opozitës është për të kritikuar dhe për ta bërë ‘Avokatin e Djallit’ edhe kur e dinë se çështja e dialogut është temë e interesit nacional të Kosovës. Nuk është çështje dhe temë individuale e një kryeministri kushdo qoftë ai, as temë e një partie politike ose koalicioni politik – është temë e interesit nacional të Kosovë”.

“Përderisa ne i bishtnojmë përgjegjësisë tonë, qoftë si opozitë, pozitë apo Kuvend, ndaj kësaj teme të rëndësishme nuk i bëjmë favor Kosovës”.

Ai në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po e degjilitimon edhe Kuvendin e Kosovës kur po e quan kryeministrin Avdullah Hoti ‘pa legjitimitet’.

“Të themi se e kemi një kryeministër që nuk ka legjitimitet tash e disa herë është të deligjitimosh edhe Kuvendin e Kosovës, sepse Kuvendi i Kosovës e ka zgjedhur Avdullah Hotin kryeministër”.

Bislimi ka thënë bindshëm se Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe me kompetenca ekzekutive nuk do të ketë në Kosovë.

“Vendimi konsisent i LDK-së ka qenë që nuk do të ketë shkëmbime të territoreve. Zajednica me deformimet që ka pasë vizavi Kushtetutës së Kosovës nuk është implementuar asnjëherë dhe si e tillë nuk do të implementohet asnjëherë. Po të garantoj se nuk do ta pranojmë asnjë Zajednicë jashtë kornizës kushtetutese të Kosovës. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe mund të bëhet vetëm në përpikmëri të plotë me Kushtetutën – çka ka të keqe këtu?”.

“Parimi i parë për dialogun që Avdullah Hoti e ka thënë në Kuvend është që nuk ka prekje të territorit të Kosovës. Parimi i dytë ka qenë që nuk ka mundësi të cenohet unitariteti i shtetit të Kosovës, domethënë që Zajednicë me kompetenca ekzekutive nuk ka shansë”.

Ai ka thënë se “Avdullah Hoti nuk është as pulë dhe as luan” duke iu përgjigjur kështu deputetit të Vetëvendosjes Arbër Rexhaj i cili tha se “kryeministri po bëhet luan këtu e pulë në Bruksel”.

Bislimi duke vazhduar replikat me Rexhajn ka thënë se kryeministri kosovar ‘e lë flejt’

“E kuptoj që Avdullah Hotit i hakmerret urtësia dhe modestia që e ka, si personalitet. A e dini që Avdullah Hoti në aspektin akademik ta lë flejt [Aleksandar] Vuçiqin në aspektin politik?”.

Deputeti i LDK-së ka thënë se do ta japë votën ‘pro’ për rrëzimin e Avdullah Hotit nëse ky i fundit e cenon marrëdhënien me SHBA-të.

“LDK i ka dhënë mundësinë e artë Vetëvendosjes. Që LDK-ja ka bërë tradhti është term i padenjë dhe i pabazë. LDK nuk ka mundur dhe as nuk do të mund kurrë që ta thyejë dhe përbuzë marrëdhënien tonë të ndërtuar për sa vite me SHBA-të për teke dhe interesa politike të dikujt”.

“Në momentin që Avdullah Hoti, që sot është kryeministër, e cenon marrëdhënien me SHBA-të unë do ta jap votën me rrëzu”.

“Albin Kurti i ka bishtnuar temës së dialogut. Mund të them me përgjegjësi të plotë që ka qenë shkarje nga qeverisja për shkak të dialogut. Ne nuk guxojmë t’i bishtnojmë çështjes së dialogut, ani pse nuk është temë popullore dhe është temë e vështirë”.

Të ngjashme