Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Kosova mbetet pala konstruktive në dialogun me Serbinë në Bruksel. Sipas tij, është pala serbe ajo që po tregohet destruktive.
Këto komente, numri dy i qeverisë i bëri gjatë një takimi që e zhvilloi me përfaqësues nga Shoqata për Evropën Juglindore në Mynih (Southeast Europe Associaton – SEA), e cila është e bazuar në Mynih, të cilët po qëndrojnë në Kosovë në një vizitë studimore.
“Kosova mbetet palë konstruktive dhe e përkushtuar, por procesi po përballet me refuzimet e shpeshta të palës tjetër për avancim tutje në shumë çështje e posaçërisht shkeljet e njëpasnjëshme dhe mungesës së zbatimit të marrëveshjeve të arritura”, ka thënë mes tjerash Bislimi në këtë takim.
Duke prezantuar tri shtyllat e integrimit evropian, zhvillimit ekonomik dhe dialogut, sipas njoftimit të Kryeministrisë, ai theksoi se “objektiv i rëndësishëm ka qenë avancimi në rrugëtimin drejt integrimit evropian, ku tashmë është finalizuar procesi i liberalizimit të vizave dhe kemi bërë hapa tutje në zbatimin e agjendës së reformave evropiane dhe arritjen e standardeve evropiane, të cilat u bënë shkas më tej dhe për aplikimin për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022”.
Mbi zhvillimin ekonomik, Bislimi theksoi “progresin që ka njohur vendi ynë dhe disa prej indikatorëve makroekonomikë, si përmes rritjes ekonomike, rritjes së punësimit, rritjes së eksporteve dhe investimeve të huaja direkte, si dhe vëmendjen e kushtuar ndaj përkujdesjes për gjithëpërfshirje e shpërndarje të barabartë tek të gjithë qytetarët, e veçanërisht përkrahjes së grave dhe të rinjve, si kryeqendër e forcë shtytëse ndër më kryesoret në zhvillimin e vendit tonë”.
Në takim, Bislimi përmendi edhe raportet e indekset ndërkombëtare, të cilat tha se ai se “dëshmojnë mbi nivelin e progresit që ka njohur Kosova në tri vitet e fundit në sundim të ligjit, luftim të korrupsionit, zhvillim ekonomik, liritë dhe të drejtat e demokratizimi”.