Zëvendëskryeministri Besnik Bisilimi ka thënë se pavarësisht që Kosova ka zbatuar pikat e planit katërpikësh, BE-ja ka ende nuk ka marrë vendim për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ai këto deklarime i bëri në Komisionin për Integrime Evropiane, ku tha se se Kosova i ka përmbushur obligimet e saj siç janë paraparë me dokumentin e Bratisllavës.
Zëvendëskryeministri deklaroi se nuk e di ende se kur BE-ja do t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
“Masat janë vendosur në fund të majit, nga Komisioni Evropian dhe janë rezultat i eskalimit që ka ndodhur në veri të Kosovës me datën 29 maj të vitit të kaluar, kur protestuesit serbë kanë sulmuar KFOR-in, gazetarët dhe qytetarët tanë. Ka ekzistuar një bindje që Qeveria e Kosovës duhet të bëjë më shumë për de-eskalimin e situatës. Në letrën që na është dërguar për vendosjen e këtyre masave thuhet që masat janë të përkohshme, janë të kthyeshme dhe të bazuara në një proces kredibil të de-eskalimit të situatës në veri”.
“Me gjasë ka pakënaqësi në mes të vendeve anëtare se cili është mekanizmi për largimin e masave, por ka presion dhe frustrim edhe brenda vendeve anëtare se si ka mundësi që Kosova është nën masa vetëm pse ka dërguar katër kryetar të komunave në zyre që i kanë fituar përmes zgjedhjeve të lira, ndërsa Serbia nuk ka masa pavarësisht agresionit terrorist që ka bërë në Banjskë. Pra ka një qasje tërësisht të pabalancuar të BE-së dhe një qasje që e ka dëmtuar vendin tonë”, tha ai.
Bislimi këto deklarime i bëri pas kritikave të kryetares së këtij Komisioni, deputetes së LDK-së, Rrezarta Krasniqi, e cila tha se qeveria nuk ka bërë asgjë për largimin e masave nga BE-ja.
“Pyetja ime ishte edhe ne lidhje me masat nga BE-ja. Na tregoni çka keni bërë tash e tri vite në procesin e dialogut. Pse Kosova është nën masa. Leni procesin e liberalizmit të vizave dhe njohjen e pasaportave. Ju kemi gëzuar të gjithë për këtë proces”, tha ajo.