Irani ka arritur atë që askush nuk ka arritur prej kohesh – të bashkojë mbështetësit dhe kritikët e Trumpit. Jo të gjithë, por një pjesë të madhe. Përpjekja për të rrëzuar regjimin teokratik është përpjekja më fisnike e kohërave tona moderne. Nga një civilizim i cili ka vendosur themelet e progresit njerëzor, nga karta e parë e të drejtave të njeriut, shpikja e algjebrës dhe procesit të distilimit të alkoolit, regjimi teokratik ka shndërruar Iranin sot në një nga vendet më të pajetueshme në botë.
Ekonomia iraniane po kalon nëpër krizën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore. Vitin e kaluar inflacioni është rritur me 70%; çmimet e ushqimit bazë me 110%; ndërsa për të blerë një dollar amerikan duhen 1.1 milionë rialë iranianë. Si pasojë sot 57% e iranianëve vuajnë nga kequshqyerja. Nga ana tjetër shteti nuk është i aftë të ofrojë as shërbimet themelore publike. Digat kryesore që furnizojnë me ujë dy qytetet më të mëdha – Teheranin dhe Mashhadinin – kanë rënë nën 5% të kapacitetit të prodhimit duke imponuar kështu ndërprerje të rregullta të furnizimit me ujë. Në fushën e energjisë Irani ka krijuar Holodomorin e vet energjetik pasi që në vend që të furnizojë qytetarët e vet gjatë dimrit me gaz, Irani ka eksportuar atë për të financuar regjimin në Teheran duke lënë kështu popullin iranian pa rrymë dhe ngrohje. Nga ana tjetër tentativat e regjimit që të zëvendësojnë gazin me mazut kanë shkaktuar ndotje të paprecedente të ajrit dhe krizë shëndetësore e cila është duke vrarë përafërsisht shtatë iranianë çdo orë.
E gjithë kjo kaleidoskopi ka motivuar protestat e fundit të popullit iranian. Dhuna me të cilën është përgjigjur regjimi ka shkaktuar minimalisht shtatë mijë viktima, sipas vlerësimit të Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut. Të pashpresë përballë regjimit protestuesit u kthyen nga fanari historik i lirisë. “Të gjithë i kemi sytë nga qielli me shpresë që Trumpi do të na bombardojë veç që t’i japim fund Khameneit dhe regjimit të tij”, tha një nga protestuesit për Wall Street Journal. Pas pak dëshira e tij u përmbush. Por ndonëse Trumpi filloi të hedhë bomba nga qielli dhe Khameini është tani histori, pyetja që ngelet është se çfarë të ardhme pret Iranin tani? Duke thjeshtëzuar për qëllime kohe janë së paku tre opsione se si mund të zhvillohen ngjarjet në Iran në javët dhe muajt në vijim.
Në opsionin e parë regjimi teokratik u mbijeton sulmeve amerikane dhe ruhet status quoja. Me zgjatjen e luftimeve dhe kostos së brendshme politike për Trumpin, SHBA-ja vendos që të ndërpresë sulmet dhe të shpallë fitoren. Brenda Iranit eliminimi i udhëheqjes fetare, politike dhe ushtarake nuk e përçan elitën e mbetur iraniane, por e bën edhe më të unifikuar për qëllime mbijetese. Irani nuk është Iraku ku pushteti është i lidhur me jetën e një njeriu apo familjeje. Regjimi ka arritur të institucionalizojë dhe të çimentojë ideologjinë dhe pushtetin e vet. Me dekada të tëra regjimi është përgatitur që të mbijetojë pikërisht një skenari të sulmeve të cilat është duke i përjetuar tani. Për shembull pas sulmeve të vitit të kaluar çdo udhëheqës i rëndësishëm iranian është urdhëruar të emërojë katër persona të cilët do ta pasojnë në rast të eliminimit të tyre. Nga ana tjetër duke pasur në dispozicion një aparat masiv të dhunës prej 1.5 milion anëtarësh të forcave të sigurisë (polici, ushtri dhe inteligjencë) regjimi do të arrijë të ushtrojë represion efektiv dhe kontroll të plotë të pushtetit. Me stabilizimin e gjendjes së brendshme Kina dhe Rusia do të intensifikojnë bashkëpunimin me Iranin dhe ndihmojnë atë për të marrë veten politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht. Sidoqoftë, në këtë skenar Irani nuk do t’i zgjidhë problemet e veta, vetëm do t’i zgjatë ato. Me kalimin e çdo dite Irani do t’i ngjajë çdo ditë e më shumë Koresë Veriore.
Në opsionin e dytë regjimi teokratik bie sipas modelit të Venezuelës. Nën sulmet amerikane elita iraniane përçahet dhe fraksioni më i fortë pranon negociata me SHBA-në. Negociatat rezultojnë me zgjedhjen e një personi i cili do të jetë i pranueshëm për regjimin e mbetur Iranian dhe SHBA-në. Në shkëmbim të shkatërrimit të programit bërthamor iranian, SHBA-ja heq gradualisht sanksionet politike dhe ekonomike ndaj vendit. Qeveria e re iraniane fillon një proces të ngadalshëm të reformimit të jetës politike, sociale dhe ekonomike të vendit. Ky opsion do të ballafaqohet me shumë pengesa dhe vështirësi pasi personi i zgjedhur asnjëherë nuk do të gëzojë legjitimitetin dhe fuqinë e brendshme për të mbajtur vendin në kurs të qëndrueshëm të reformave. Pushteti i tij do të sfidohet nga fraksionet e shumta politike, ushtarake dhe religjioze brenda vendit. Fraksionet reaksionare do të sulmojnë atë si tradhtar të revolucionit ‘79. Thënë ndryshe Irani nuk do të mund të jetë Venezuela për shkak të historisë dhe dinamikave krejtësisht të ndryshme brenda vendit. Pra epilogu në Iran do të jetë më pak sikur ai i Venezuelës, e më shumë sikur ai i Sirisë.
Në opsionin e tretë regjimi teokratik bie dhe sulmet amerikane krijojnë një gjendje kaosi brenda Iranit. Pushteti efektiv i institucioneve qendrore vihet në pikëpyetje. Në këtë opsion SHBA-ja është pa plan përtej bombardimit të suksesshëm, ndërsa Irani pa alternativë përtej mbijetesës. Në këtë sfond një person brenda elitës së Iranit shfrytëzon kaosin dhe arrin të manipulojë skenën politike për të ardhur në krye të Iranit. Ai arrin këtë jo përmes negociatave, por përmes dhunës. Ai eliminon gjithë kundërshtarët e vet, qoftë religjiozë apo politikë dhe vendos veten në pozicion dominues brenda shoqërisë iraniane dhe shihet si i vetmi person i aftë të vendosë rregull brenda vendit. Do të ishte logjike që ky lloj personi të vinte nga radhët e aparatit të sigurisë, qoftë ushtrisë së rregullt apo gardës revolucionare. Dikush sikur Ali Larijani apo Mohammad Bagher Ghalibaf. Ky person do të tentojë të ruajë balansin në mes vijës tradicionale radikale iraniane dhe kompromisit të nevojshëm me Perëndimin. Thënë ndryshe, nuk do të shkojë “all in” në asnjë drejtim. Kësisoj ai do të ruajë legjitimitin brenda vendit, por do të sigurojë dhe përkrahjen jashtë vendit. Kjo do të kërkojë që ai të dakordohet me disa kufizime themelore për zhvillimin e programit bërthamor dhe në shkëmbim do të marrë njohje perëndimore dhe ndihmë politike dhe ekonomike. Brenda Iranit lideri i ri do të fillojë reformat graduale politike, ekonomike dhe sociale. Thënë ndryshe Irani do të fillojë të duket çdo ditë më shumë sikur Arabia Saudite apo Emiratet e Bashkuara.
Vetëm koha do të tregojë se cila nga këto opsionet do të jetësohet në fund. Sot jemi në ditët e hershme të konfliktit dhe ajo që quhet “mjegulla e luftës” është duke mjegulluar gjykimin e shumë prej nesh. Po ashtu lufta gjeneron dinamikat e veta dhe krijon realitete të reja të paparashikueshme. Sidoqoftë, ajo që mund të themi me siguri është se Irani është në një udhëkryq ku ose do të mbijetojë, ose do të transformohet ose do të shpërthejë. Se cila nga këto tre do të ndodhë varet në masë të madhe nga ai i cili e ka nisur gjithë këtë – vetë Trumpi. Dhe ironikisht vetë Trumpi është armiku i vetes së tij në këtë rast. Në mënyrë që ndërhyrja e Trumpit të këtë sukses në Iran ajo kërkon aftësinë e cila është më deficitare në karakterin e tij – konsistencën. Tani kërkohet që Trumpi të ketë vullnetin dhe konsistencën që të çojë deri në fund fushatën e nisur ushtarake. Irani nuk është forcë që duhet nënvlerësuar. Urtësia e Kontit Mirabeau vlen edhe për Iranian – Irani nuk është shtet që ka ushtri, por ushtri që ka shtet. E madhe sa Gjermania, Franca, Spanja dhe Italia marrë së bashku, me ideologji revolucionare fetare që mbështetet në 1.5 milion ushtarë gati për të dhënë jetën për të Irani është armik që nuk mposhtet lehtë. Prandaj në një sens Trumpi sot ka nisur një lojë bixhozi me veten e tij. Ose do të tregojë konsistencë dhe do ta shndërrojë Iranin në shembull të suksesit të presidencës së tij, ose do të bëjë cirkun tipik Trumpian dhe do ta shndërrojë Iranin në varrezën e presidencës së tij.