Përfaqësuesit e bizneseve të pjesëve të veturave në Kosovë, mbledhësit e hekurishteve e deponitë kanë protestuar para Doganës së Kosovës, për të kundërshtuar një vendim të Doganës që siç thonë ata po i dëmton këto biznese.
Ata kanë ka thënë se vendimi i Doganës së Kosovës për doganimin e veturave për pjesë me të njëjtat tarifa si ato të gatshme për qarkullim është duke e penguar veprimtarinë e tyre, raporton Ekonomia Online.
Ata kërkojnë nga Dogana e Kosovës që të rikthej ligjin, i cili ka qenë në fuqi deri në vitin 2013 që për automjetet e përdorura për pjesë të paguajnë doganën prej 28 për qind. Ata thonë që po detyrohen të paguajnë doganë për një mjet që ata do ta përdorin për pjesë të paguajnë njëjtë sikur për një mjet që del në qarkullim.
Musa Damati, avokat i bizneseve të autopjesëve tha se me këtë problem po përballen afro 300 biznese të hekurishteve dhe sipas tij, Dogana po i dënon ata çdo ditë.
“Po kërkojmë nga Dogana e Kosovës që tatimet të paguhen në mënyrë proporcionale. Pra që ato të derdhen në buxhetin e Kosovës. Nëse institucionet nuk janë të gatshme t’i inkurajojnë bizneset, atëherë së paku t’i lejojnë ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre. Dogana nuk po i lejon tregtarët që t’i doganojnë mjetet e tyre”, tha ai.
Për këtë ata sot kanë dërguar një shkresë zyrtarisht në doganë me kërkesat e tyre. Madje një kërkesë të tillë ata ia kanë dërguar Doganës edhe më herët, por siç tha ai Dogana ka kërkuar kohë prej një muajsh që të shqyrtojë atë kërkesë. Ata gjithashtu kanë kërkuar nga Dogana që gjatë periudhës së shqyrtimit të kërkesës të mos vazhdohet me dënime deri në përgjigjen e Doganës lidhur me këtë hall të tyre.