Më shumë se 100 biznese nga rajoni i Ferizajt kanë protestuar sot përpara ndërtesës së KEDS-it për shkak që pretendojnë se kjo e fundit po ua ndalon energjinë elektrike pa paralajmërim.
Udhëheqësit e këtyre bizneseve kanë paralajmëruar edhe ngritje të padisë penale ndaj KEDS-it.
Azem Guta nga fabrika “KosovaPor” tha se fajtor për këto ndërprerje është monopoli që KEDS-i ka krijuar në treg.
“Këta e kanë monopolin, këta vijnë të kërcënojnë “kur të duam ta shkëputim rrymën, pagune”. Një orë ose dhjetë minuta nuk të japin afat për pagesë. Ta ndalin kur të dush, ta ndalin sa të dush dhe pa asnjë përgjegjësi. Për këtë arsye jemi dal edhe ne sot. Ne do të shkojmë edhe më tutje besoj që të hënën do të përgatisim edhe një padi penale në gjykatë dhe nuk do t`i ndalim protestat se nuk kemi zgjidhje tjetër”, ka thënë Guta.
Ndërsa Idriz Zagraxha, pronar i qumështores “Natyra”, tha se ndërprerjet e rrymës po iu shkaktojnë shumë probleme.
“Kështu që kohëve të fundit janë duke na e ndërpre pa paralajmërim dhe na shkaktojnë shumë telashe dhe shumë probleme. I kem thirr vazhdimisht në telefon dhe na kanë thënë që nuk do ta ndërprenë rrymën elektrike paralajmërim megjithatë asnjëherë nuk e kanë lajmëruar”, ka thënë ai.
E zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka thënë për Ekonomia Online se ditët në vijim do të takohen me përfaqësuesit e bizneseve për të zgjidhur këtë problem.
Sipas, Buzhalës, KEDS-i, ka investuar vazhdimisht për përmirësimin e kushteve të biznesit edhe në Ferizaj, ndërsa paralajmëroi se për këtë qëllim kanë planifikuar të investojnë rreth 100 mijë euro.
Mirëpo, ai fajtor e ka lënë Ministrinë e Infrastrukturës, e cila sipas tij nuk po lejon të kryhen investimet në këtë pjesë.
“KEDS bashkëpunon me biznese dhe do të takohet edhe në ditët e ardhshme me ta. Ne e kemi një projekt te gatshëm dhe jemi ne gjendje t`i investojmë rreth 100 mijë euro. Por Ministria e Infrastrukturës nuk po e lejon këtë njëherë. Ata e kanë një projekt që do ta realizojnë për zgjerim të rrugës dhe pa u përfunduar ai KEDS nuk po lejohet ta kryejë investimin, përkundër insistimit tonë të vazhdueshëm”, ka thënë Buzhala përmes postës elektronike.