“Fatura më vjen 161% më shtrenjtë”, Visar Ymeri bën llogaritjen se sa i bie të paguhet rryma nga shkurti

Prishtinë | 27 Jan 2022 | 13:57 | Nga Ekonomia Online

sh-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se vlera e faturës së energjisë elektrike në muajin Janar ishte 146.32 euro teksa ka harxhuar 1543 kWh me tarifën e shtrenjtë dhe 1024 kWh me tarifën e lirë.

Sipas Ymerit, nëse kalkulohet shpenzimi i muajit janar me tarifat e propozuara nga ZRrE vlera e faturës do të mbërrinte 383.06 euro dhe e njëjta do të zbriste në 266.61 euro pas subvencionimit të qeverisë dhe sipas tij rritja reale ka dalë 161,8%.

“Fatura e energjisë elektrike për muajin janar është shpërndarë dje (në kompleksin banesor ku banoj). Për këtë muaj kisha shpenzuar 1543 kWh në tarifën e shtrenjtë A1, dhe 1024 kWh në tarifën e lirë (të natës) A2. Vlera e kësaj fature mujore është 146.32 euro, në të cilën përfshihet edhe TVSh (10.80 euro) si dhe tarifa fikse (1.74 euro). Kur e kalkulon të njëjtin shpenzim me tarifat e propozuara nga ZRrEE, vlera e faturës mbërrin në 383.06 euro. Kjo pastaj zbret në 266.61 euro pas aplikimit të subvencionit të vënë në dispozicion nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Pra fatura që sot kushton 146.32 euro do të kushtojë 383.06 euro pas 1 shkurtit, nëse propozimi për tarifa shndërrohet në vendim. Dallimi është 236.74 euro apo shprehur në përqindje rritja është 161.8 %”, ka shkruar Ymeri.

Ymeri ka thënë se subvencionimi e ul koston e faturës por që i njëjti paguhet nga tatimpaguesit.

“Është e vërtetë që subvencioni e ul ndjeshëm koston e faturës. Por të mos harrojmë se subvencioni po ashtu paguhet nga ne, tatimpaguesit. Për me tepër këto tarifa, nëse vendosen, do të mbeten të njëjta deri në prill të vitit 2023”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme