Marrëveshja për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA) jo që nuk i ka ndihmuar prodhuesit kosovarë, por madje edhe i ka dëmtuar. Pronari i kompanisë së suksesshme nga Suhareka “Frutex”, Shaqir Palushi, mendon se ka ardhur koha që kjo marrëveshje të rishikohet, duke vënë nën mbrojtje disa nga produktet e vendit.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Palushi, thotë se Qeveria e Kosovës kishte bërë gabim që në momentin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, duke e liberalizuar plotësisht tregtinë e vet. Kjo, sipas tij, i ka dëmtuar prodhuesit kosovarë, të cilët ishin të papërgatitur për konkurrencën.
Drejtori i kompanisë për prodhimin e lëngjeve “Frutex”, e cila eksporton edhe në vendet e Bashkimit Evropian, flet edhe për vështirësitë e një prodhuesi kosovar për të plasuar prodhimin në Shqipëri.
“Mund të themi që sot të bësh biznes në Shqipëri, për një biznesmen një kosovar është e njëjtë ndoshta edhe më e komplikuar se ta zëmë të bësh biznes në cilindo prej shteteve të BE-së”, shprehet Palushi.
INTERVISTA E PLOTË
EO: Si i shihni iniciativat e Odave ekonomike nga Kosova dhe Shqipëria, dhe a do t’ju ndihmoj kjo juve si prodhues për një bashkëpunim më të intensifikuar në të ardhmen?
Palushi: Ne besojmë më shumë në këto iniciativa dhe në këto takime për dallim prej atyre të mbajtura në mes të politikanëve, konkretisht në mes të dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë.
Mendoj që takimet në mes të bizneseve shqiptare nga të gjitha trevave, do t’i kontribuojnë përmirësimit të shkëmbimeve tregtare të cilat aktualisht nuk janë shumë në nivel të duhur.
EO: Cilat janë eksperiencat tuaja si prodhues, a keni pasur barriera gjatë shkëmbimeve tregtare me Shqipërinë?
Palushi: Në fakt kompania jonë më produkteve tona ka 10 vite që është prezent në tregun shqiptar dhe nuk mund të them që kemi pasur barriera të pakalueshme, por gjithsesi mund të themi që sot të bësh biznes në Shqipëri, për një biznesmen një kosovar është e njëjtë ndoshta edhe më e komplikuar se ta zëmë të bësh biznes në cilindo prej shteteve të BE-s.
Mendoj që institucionet e dy qeverive mund të bëjnë shumë më tepër në lehtësimin dhe heqjen e këtyre barrierave të cilat sado pak e ngarkojnë shkëmbimin tregtar. Mendoj që vend për përmirësim ka sidomos këto dit kur po flitet jashtëzakonisht shumë për shkëmbimet tregtare në mes dy vendeve.
EO: Gjatë forumit ekonomik në mes të Odave të Kosovës dhe Shqipërisë, u tha se “duhet të rishikohen disa marrëveshje tregtare siç është marrëveshja e CEFTA-s”. A mendoni se duhet të rishikohet kjo marrëveshje” Ju si prodhues a keni qenë të barabartë me prodhuesit e jashtëm gjatë implementimit të kësaj marrëveshjeje?
Palushi: Qeveria e Kosovës ka bërë një gabim në momentin kur e ka nënshkruar marrëveshjen e CEFTA-s, për dallim prej asaj të MSA-së, cila është negociuar me muaj ndoshta edhe me vite dhe aty janë kërkuar disa favore për mbrojtjen e prodhimeve vendore, në radhë të parë ato agro-industriale. Marrëveshja e CEFTA-s, në njëfarë forme, e ka dëmtuar prodhuesin edhe ashtu të dobët të Kosovës, e sidomos këto vite prej edhe kur ka hyrë në fuqi. CEFTA ka shumë vite që ka hyrë në fuqi sepse sot mendoj që prodhuesi kosovar është në një pozitë pak më të mirë dhe është më sfidues për kompanitë importuese.
Mendoj që do të ishte e mirëseardhur një rishikim i kësaj marrëveshje e cila do t’i mbronte disa nga produktet e Kosovës.
EO: Pra ju besoni se produktet e Kosovës, nuk kanë mbrojtje me marrëveshjen e CEFTA-s?
Palushi: Përmes kësaj marrëveshje garantohet liberalizimi total, që do të thotë nuk ka asnjë kuotë të asnjë produkti i cili mund të importohet në Kosovë.