Ministri i Financave dhe drejtori i Administratës Tatimore kanë mbajtur një takim me përfaqësuesit e federatave të sportit të Kosovës për të sqaruar efektet e Ligjit për Subvencione dhe Donacione në tatimin e të ardhurave të korporatave dhe në të ardhurat personale.
Me këtë rast u vlerësua se Ligji për të Ardhurat në Korporata ofron një mundësi më të gjerë të donacioneve dhe përfitimeve që mund t’i kenë bizneset nga zbritja që bëhet prej bazës tatimore, raporton Ekonomia Online.
Ministri Avdullah Hoti tha se ky ligj ka që prej shtatorit të vitit të kaluar që është në fuqi dhe është ndryshuar me qëllim që të krijohet hapësirë për mbështetje të sportit, por biznesi privat nuk e ka shfrytëzuar këtë ligj edhe aq shumë.
“Ju e dini që deri në shtator të vitit 2015 mundësia që të mbështeten klubet e ndryshme, sporti në përgjithësi ka qenë 5 për qind, me ligj nga shtatori 2015 është 10 për qind, pra është dyfishuar, dhe është lënë edhe një 10 përqindësh shtesë që shkon me vendime edhe me udhëzime që jepen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, tha ai.
“Ligji për të ardhurat e Korporatave është ligj që e quajmë organik dhe ky ligj vlen përpara të gjitha ligjeve të tjera, kur vjen çështja e pagesave taksave e të tjera dhe çfarëdo marrëdhënie me Administratën Tatimore, Administrata obligohet që ta përdor këtë ligj dhe ky ligj parasheh 10 për qind plus 10 për qind (zbritje si shpenzime nga baza tatimore) sipas vendimeve që i nxjerr Ministria e Kulturës”, tha Hoti.
Drejtori i ATK-së, Sakip Imeri, tha se Ligji për të Ardhurat për Korporata ofron një mundësi më të gjerë të donacioneve dhe përfitimeve që mund t’i kenë bizneset nga zbritja që bëhet prej bazës tatimore.
“Koncepti bazë i donacioneve është i ndërtuar mbi fitimin e tatueshëm, e njëjta bazë që shërben për llogaritjen e tatimit shërben edhe për llogaritjen e kontributeve bamirëse që gëzohen nga ky ligj”, tha Imeri.
E, zëvendësdrejtori i ATK-së, Nahit Sharku, gjatë informimit mbi këtë ligj tha se shpenzimet e reklamave, të propagandave janë shpenzime të plota me ligjin e fundit të reformave fiskale, sepse përpara nuk ka qenë një gjë e tillë.
“Shpenzimet e reklamave, të propagandave janë shpenzime të plota me ligjin e fundit të reformave fiskale, sepse përpara nuk ka qenë e tillë. Ndërsa pjesa e donacionit sepse donacioni nuk kërkon një kërkesë të palës tjetër,që do të thotë biznesi mund t’i jap donacion klubit, kulturës, artit, pa kërkesë të kundërshpërblimit dhe kjo është një objekt i pjesës së ligjit për të ardhura në korporata dhe personale që do të thotë pasi që kryhen pasqyrat, vijmë tek fitimi i tatueshëm”, shpjegoi Sharku.




