Nevoja për përshpejtim të procedurave për pako emergjente duhet të trajtohet më seriozisht. Pra, derisa, ata, të cilët do të duhej të udhëheqin me këtë proces, i “tjerrin” masat e pakos emergjente, qysh, kush, kur etj, deri në pakuptim biznesi i vogël dhe i mesëm vazhdon rrugën, sigurt, drejt falimentimit.
Odat ekonomike, të cilat në disa raste përfaqësohen prej “tuxharve”, të cilët më së paku i përfaqësojnë interesat e biznesit, nuk i mbrojnë dhe nuk dinë apo edhe nuk duan të parashtrojnë plane, në këtë fazë, për ndihmë emergjente e më vonë rehabilituese për bizneset në krizë. Përveç kompetencës profesionale, të cilën mund ta kenë disa prej tyre, plani emergjent kërkon edhe përvojën praktike, të atyre direkt të prekur me problemet e shkaktuara nga pandemia dhe masat e marra nga qeveria e “popullit”.
Pra, prezenca e atyre të cilët janë duke i vuajtur këto probleme është e domosdoshme.
Emergjente do të thotë emergjente, jo tani, jo më vonë, jo kjo procedurë, jo ajo procedurë, jo ky, jo ai, duhet menjëherë. Kuptoni ju apo jo. Duhet menjëherë.
Procedurat do të duhej të ishin shumë të thjeshta në këtë fazë ndërsa sistemi i monitorimit, vlerësimit e ndoshta edhe ndëshkimit, për ata të cilët keqpërdorojnë, do të vinte më pastaj.
Kur flasim për prodhimin, sigurisht se kjo kategori meriton vlerësim të veçanta por jo në masën të cilën ju e trajtoni marrë parasysh se 60, 70 apo edhe deri në 80 për qind e bizneseve në Kosovë merren me tregti dhe shërbime tjera, ndërsa një përqindje e vogël është e fokusuar në prodhim.
Industria e tekstilit, jo prodhimi, por shitja me shumicë dhe pakicë është buzë falimentimit, pra është gati duke vdekur. Të gjitha qendrat tregtare janë mbyllur dhe një zot e di se kur do të hapen. Restorante, gjellëtoret, kafitërit, qebaptoret, ushqimi i shpejtë e shumë biznese të tjera kanë probleme të mëdha ndërsa shteti e shumë të tjerë për rreth vazhdojnë me analiza. Patjetër se analizat duhen bërë por ato duhen përshpejtuar.
50 milion, euro dënim një kompani me procedurë të thjeshtë, shkuan!
60 milion euro, me procedurë të thjeshtë, falen!
Qindra miliona euro pagesa në dëme të shkaktuara nga kontratat ndërkombëtare të dëmshme apo për mosrealizim të detyrave, ndëshkim në vonesa etj, etj!
Krejt këto procedohen me procedura të thjeshta e të përshpejtuara ndërsa ndihma emergjente për bizneset në krizë me stërhollime e procedura koti.
Mund të duket dëshpëruese kjo thirrje e imja por kjo është gjendja!
Pra, duhet intervenuar, menjëherë, dje është vonë.
(Autori është biznesmen dhe anëtar i kryesisë së LDK në Prishtinë.)