Kreu i Dhomës së Tregtisë i Shqipërisë, Nikolin Jaka i konsideron si takime pa rezultat, mbledhjet e dy qeverive shqipfolëse. Biznesi shpalosi 12 kërkesa, Rama e Haradinaj shpërfillën 11 prej tyre, shkruan sot “Shekulli”.
Firmosja e marrëveshjes doganore mes Shqipërisë dhe Kosovës në mbledhjen e përbashkët të kësaj jave, është një pakt, i cili nuk sjell lehtësitë dhe pritshmritë që bizneset e të dy vendeve kërkojnë. Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë thotë, se unifikimi doganor mes dy vendeve shqipfolëse në praktikë është joproduktive, ndërsa thekson se mes bizneseve të dy vendeve është bërë një akord për një sërë pikash që duhen miratuar nga dy qeveritë, por ato nuk e kanë ende vullnetin për t’i realizuar.
“Në normalitet ne i kemi pritur mbledhjet e qeverisë, por asnjëra nga ato s’ka sjellë produkt. Nuk dëgjova heqje barrierash, por unifikimin doganor mes dy vendeve. Është hera e parë që bëhet. Por, kemi një bashkim fizik, bashkim sportelesh. Kemi dy çati, por dy sportele. Është diçka që akoma nuk e kuptojmë se çfarë është axhenda dhe objektivi. Ne e dimë që është hequr roaming-u, një kosto telefonike”, tha Jaka.
Sipas kreut të Dhomës së Tregtisë, qeveritë në të dy anët e kufirit e kanë zëvendësuar bashkimin doganor me taksa private që vijnë nga koncesionet.
“Nëse i listojmë, më e fundit është taksa e rrugës, më tej është skanimi e terminali doganor në Kosovë”.
Krijimi i një tregu të përbashkët ka qenë premtim thuajse i çdo qeverie në Prishtinë dhe Tiranë. Por, biznesi thotë se në realitet ndryshimi është i papërfillshëm.
“Ne si klube prodhuese, si dhoma tregtie dhe si sipërmarrje në tërësi kemi kërkuar një listë prej 12 pikash që ia kemi referuar edhe qeverisë së Kosovës, një edhe qeverisë së Shqipërisë. Dhe nga këto 12 pika është marrë parasysh vetëm 1, ajo e certifikatave sanitare. Ndërkohë, që pjesa tjetër ngelet e patrajtuar”, u shpreh Jaka.
Pengesat tarifore dhe ato burokratike e penalizojnë jo pak tregtinë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Por arsyeja kryesore se pse dy ekonomitë nuk kanë tregti të vrullshme mes tyre, është një tjetër; mungesa e prodhimit.
“As Shqipëria as Kosova nuk performojnë dot në sektorët e prodhimit”, thotë Jaka.
Ai shton se dobësive strukturore të dy ekonomive, nuk ka pse i shtohen pengesat artificiale.
“Mos të bëhet më shumë se sa bëjnë vendet e BE-së me njëra-tjetrën, pra thjesht trau i doganës të mos ekzistojë”, thotë Nikolin Jaka.
Si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri politikanët e kanë përdorur shpesh kartën e patriotizmit, përfshirë atë ekonomik, për qëllimet e tyre elektorale. Por, në të vërtetë, Shqipëria dhe Kosova, janë ende shumë larg e të qenit një treg i përbashkët.
Marrëveshjet
Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në datën 26 nëntor u nënshkruan 6 marrëveshje, dy protokolle dhe një memorandum. Ato kanë të bëjnë me vendosjen e Pikës Doganore të Republikës së Kosovës në Portin e Durrësit dhe me deklaratën e objektivave të përbashkëta për themelimin e Dhomës Ekonomike Bilaterale Shqipëri – Kosovë. 1. Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunimin, nxitjen e biznesit dhe të informimit të diasporës”. 2. Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për njohjen reciproke të patentë shoferëve”. 3. Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e borxhit publik, financimeve të huaja dhe marrëdhëniet me institucionet Financiare Ndërkombëtare. 4. Marrëveshja për heqjen e çmimeve të shërbimeve Roaming për rrjetet publike të komunikimeve të lëvizshme ndërmjet ministrive përgjegjëse për fushën e komunikimeve elektronike të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. 5. Marrëveshja për “Bashkëpunim në fushën e Rinisë.” 6. Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim në fushën e shëndetësisë.
Kërkesat
Tre ditë përpara zhvillimit të mbledhjes së përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, bizneset të dyja vendeve dolën më një listë kërkesash për rrëzimin e barrierave dhe nxitjen e tregtisë. Kërkesat konsistojnë në problematikat dhe procedurat tarifore dhe jo-tarifore në sektorin doganor, konkretisht si më poshtë: – Heqjen e pagesës për skanerin në Republikën e Shqipërisë për të gjithë qarkullimin tregtar import-eksport, Shqipëri-Kosovë;. -Heqja e pagesës për terminalet doganore në Republikën e Kosovës për të gjithë qarkullimin tregtar import-eksport, Shqipëri-Kosovë dhe Kosovë-Shqipëri; – Njohja e certifikimeve dhe analizave fito sanitare të të gjithë produkteve që i nënshtrohen këtyre analizave dhe certifikatave; – Njohja reciproke e regjistrimit te produkteve farmaceutike (autorizimi për tregtim) nga agjencitë relevante, për prodhuesit e Kosovës dhe Shqipërisë në të dyja tregjet. -Përshpejtimi i procedurave doganore, në trajtimin e praktikave të qarkullimit tregtar dhe ekonomik ndërmjet dy shteteve; – Të hiqet tërësisht për prodhuesit e dy vendeve taksa prej 26 EUR vajtje/ardhje për Kamionët, pasi e njëjta paraqet pengesë në zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve. – Heqja e të gjitha barrierave duke përfshirë edhe akcizën. – Krijimi i Bankës Zhvillimore të Përbashkët Shqipëri-Kosovë; – Të bëhen pjesë e mbledhjeve të qeverive të përbashkëta përfaqësues të “Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë” dhe përfaqësues të “Klubit të Prodhuesve të Kosovës.