Një inspektor i tatimeve është goditur me grushte në fytyrë ndërsa ishte duke kryer detyrën e tij, kontrollin e bizneseve në Golem, shkruajnë mediat në Shqipëri.
Ai ka kërkuar kuponin tatimor nga një biznes, por si përgjigje ka marrë grushte fytyrës dhe ka përfunduar me hemorragji në Spitalin e Traumës Tiranë.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj inspektorit të hetimit tatimor në detyrë.
“Ministria e Financave dhe Ekonomisë dëshiron të përsërisë mesazhin e qartë se të gjithë strukturat tatimore të zbatimit dhe terrenit, mbeten të angazhuar për të vijuar zbatimin rigoroz të planit të masave për sezonin turistik”.
“Beteja kundër informalitetit është beteja jonë e përbashkët me sipërmarrjen e ndershme, në favor të qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik të vendit”, thuhet në njoftimin e ministrisë për rastin.
Ekonomia informale në Shqipëri është tejet e përhapur, sidomos gjatë sezonit të verës.
Shumë kosovarë që vizitojnë vendet turistike në Shqipëri, shpesh janë ankuar për probleme të tilla, njofton Klan Kosova.