Me mijëra protestues sërish po tubohen në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk, gjersa ky shtet po bëhet gati për një fundjavë me protesta të reja, dhe presioni ndaj udhëheqësit Alexander Lukashenko po rritet edhe më shumë.
Opozita, së bashku me sfiduesen më të madhe të Lukashenkos, Svetlana Tikhanovskaya, kanë bërë thirrje që përkrahësit të tubohen sërish këtë fundjavë, shkruan Al Jazeera.
Protestuesit janë mbledhur afër një stacioni të metrosë për të përkujtuar Alexander Taraikovskyn, një protestues 34 vjeç i cili vdiq në atë vend të hënën që shkoi.
Të dielën është planifikuar “Marshi për Paqe” në qendër të Minskut, një javë pas zbulimit të rezultatit të kontestuar të zgjedhjeve ku Lukashenko thotë se ka fituar 80% të votave.
Të shtunën, kryeministrat e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë i kanë bërë thirrje Bjellorusisë që të mbahen “zgjedhje të reja të lira dhe të drejta”, ndërkohë që Rusia që është aleate e Bjellorusisë, ka thënë se protestat janë pasojë e ndërhyrjes nga jashtë.