Bjellorusia po izolohet, edhe Britania e tërheq ambasadoren nga ky shtet

Prishtinë | 10 Tet 2020 | 12:11 | Nga Ekonomia Online

Britania e Madhe e ka tërhequr përkohësisht ambasadoren e saj nga Bjellorusia pas rritjes së tensioneve në vendin e Evropës Lindore.

Autoritetet në Minsk i kanë shtypur protestat kundër presidentit Aleksander Lukashenko, i cili e shpalli fitoren në zgjedhjet e kontestuara të gushtit, shkruan BBC.

Opozita thotë se ai duhet të japë dorëheqje, por Lukashenko i ka cilësuar figurat opozitare si kukulla të Perëndimit që po përpiqen ta rrëzojnë atë nga pushteti.

Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, tha se vendimi për tërheqjen e ambasadores nga vendi autoritar është solidarizim me Poloninë dhe Lituaninë, të cilat gjithashtu e kanë kritikuar presidentin Lukashenko.

Të premten, Bjellorusia i dëboi 35 diplomatë nga vendet fqinje. Kryediplomati britanik e cilësoi këtë si vendim të pajustifikueshëm, i cili, sipas tij, vetëm do ta izolojë më shumë popullin bjellorus.

Ambasadorët nga Bjellorusia tashmë i kanë tërhequr edhe Gjermania, Rumania, Republika Çeke dhe vendet baltike.

Të ngjashme