Profesori universitar Blerim Latifi, ka folur kundër rindërtimit të Hamamit të Sulltan Mehmetit të Dytë në komunën e Prishtinës.
Latifi thotë se ky sulltan ka qenë një anti-shqiptar dhe nuk e kupton pse një muze shqiptar të mbajë emrin e tij.
“Së pari, u tha që është donacion i TIKA-s. Por kjo nuk është tërësisht e vërtet. Komuna e Prishtinës po jep 500 mijë për këtë projekt. Pra gjysmë milioni. Ky nuk është donacion. Ky është bashkë-investim. Këtë hamam e ka ndërtuar Sulltani Mehmeti i dytë. Kjo është problematike. Ai ka bërë luftëra të mëdha ndaj shqiptarëve. Thuhet se edhe malet i ka shkurtuar që të mos mund të bëhen sulme guerile nga ushtarët e Skënderbeut. Thuhet se në vitet 1400, kishte rrethuar shqiptarët në kalanë e Artanës. Artana mbrohej nga një komandant shqiptar me emrin Llesh. Pasi u pushtua Artana, u vranë të gjithë burrat. Ata u masakruan, ndërsa gratë u bënë skllave”, ka thënë ai.
“Është fatkeqësi që një hamam i tij të rindërtohet në kryeqytetin e dytë të shqiptarëve. Ai edhe emrin e ka pasur Fatih, që do të thotë pushtues. Nuk e di pse komuna në këtë kohë shumë të vështirë me pandeminë po bën dëme të mëdha ekonomike, të investohet në një këso projekti”, shtoi Latifi.