Blindohet Vietnami për samitin Trump-Kim, mbërrijnë 100 roje nga Koreja

Prishtinë | 25 Shk 2019 | 14:58 | Nga Ekonomia Online

Vietnami është duke bërë përgatitjet e fundit për samitin e shumëpritur, ku do të takohen presidenti amerikan Donald Trump dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un. Teksa kreu i shtetit komunist është nisur me tren të blinduar për në Hanoi, krejt ndryshe ka qenë udhëtimi i truprojave që do ta mbrojnë Kim.

Uashingtoni dhe Peniani i kanë dërguar pjesëtarët e sigurimit që do të përkujdesen për sigurinë e liderëve të vendeve të tyre me avionë në Vietnam.

Kanë qenë rreth 100 pjesëtarë të trupës së sigurisë të liderit të Koresë së Veriut, me veshje identike dhe të njëjtën prerje flokësh, që kanë mbërritur në aeroportin e Hanoit mëngjesin e sotëm.

Ndërkohë mendohet se treni i Kim Jong-un aktualisht është duke kaluar në territorin e Kinë, ndërsa Trump do të fluturojë nesër për në Hanoi.

Takimi pritet të zhvillohet në rezidencën e qeverisë, ose në hotelin “Metropol”. Ndërkaq ushtarët vietnamezë me uniforma të kamufluara kanë vënë detektor metalesh në të gjitha zonat përreth.

Ekipe të shumta të ushtrisë janë parë edhe në katet e fundit të ndërtesave të larta, ku janë duke u instaluar pajisje të ndryshme ushtarake.

Rrugët përreth vendit ku do të mbahet takimi janë dekoruar me lule dhe flamuj të Koresë së Veriut, SHBA-së dhe Vietnamit. Kryeministri vietnamez Ngujen Ksuan Puk, ka urdhëruar që masat e sigurisë të jenë në nivelin më të lartë gjatë këtij samiti.

Siguria është rritur edhe në stacionin e trenit në qytetin Dang-Dong përgjatë vijës kufitare me Kinën, ku pritet të mbërrijë fillimisht Kim Jong-un, kurse sot janë parë shumë ushtarë duke patrulluar në rrugët e këtij qyteti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme