​Reshitaj përmbyllë vizitën në Vietnam

Prishtinë | 02 Kor 2018 | 16:45 | Nga

Në ditën e fundit të qëndrimit në Vietnam, Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj është takuar me Kryeshefen Ekzekutive të GEF-it, Naoko Ishii, të cilën e ka falënderuar për ftesën për pjesëmarrje në Asamblenë e 6-të dhe mikpritjen e treguar për delegacionin kosovar. Gjatë këtij takimi është biseduar mbi projektet e ardhshme dhe mundësinë e qasjes së Kosovës në fondet e GEF-it. Maratonën e takimeve, Reshitaj e vazhdoi me Presidentin e Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Suma Chakrabarti, ku diskutuan mbi projektet investuese që BERZH po i financon në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor në Kosovë. Reshitaj është takuar edhe me Drejtorin e Green Climate Fund, Pa Ousman Jarju, me të cilin kanë diskutuar mbi sfidat globale të mjedisit dhe mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen.

Gjatë qëndrimit tre ditor në Vietnam, ku është mbajtur Asambleja e 6-të e GEF-it, Reshitaj ka takuar dhjetëra zyrtarë të lartë të shteteve të ndryshme, ku përveç diskutimeve mbi investimet e mundshme në fushën e mjedisit, ka lobuar edhe për njohjen e shtetit të Kosovës. Në vazhdën e këtyre takimeve, Reshitaj u takua edhe me Ministrin e Mjedisit të Armenisë, Erik Grigoryan dhe me përfaqësuesen e Ministrisë së Mjedisit të Indonezisë, Laksmi Dhewanthi, me të cilët diskutoi modalitetet e mundshme të bashkëpunimit dhe njëherit nga të dy shtetet kërkoi njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në takimin bilateral me Ministren e Mjedisit të Malit, Aida M’bo Keita, Reshitaj deklaroi se bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve duhet të vazhdojë edhe më tutje, sidomos në fushën e mjedisit, planifikimit hapësinor dhe të energjisë së ripërtërishme. Po ashtu, Reshitaj ka takuar edhe Ministrin e Bujqësisë të Uzbekistanit, Uri Ariel dhe Ministrin e Shëndetësisë të Ishullit Sao Tome dhe Principe, Arlindo de Carvalho, si dhe ministra dhe zyrtarë të tjerë.

Në margjina të Asamblesë së GEF-it, Reshitaj është pritur në një takim zyrtar nga Kryeministri i Vietnamit, Nguyen Xuan Phuc dhe Ministri i Resurseve Natyrore dhe Mjedisit të Vietnamit, Tran Hong Ha. Po ashtu është takuar edhe me udhëheqësit e agjencive të ndryshme të specializuara të Kombeve të Bashkuara, si me Drejtoren Ekzekutive të UN Habitat, Maimunah Mohd Sherif dhe me Drejtorin e UN Environment, Erik Sohleim, me të cilët u dakorduan që të vazhdojnë bashkëpunimin për avancimin e gjendjes së mjedisit dhe planifikimit hapësinor nëpërmjet realizimit të projekteve të përbashkëta.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme