Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, udhëton të hënën drejt Brukselit, për të takuar udhëheqësit e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.
Blinken do të ndjekë një takim të ministrave të Jashtëm të NATO-s dhe do të konsultohet me aleatët dhe sekretarin e përgjithshëm të aleancës, Jens Stoltenberg, më 23 mars dhe 24 mars, tha Departamenti i Shtetit.
Takimet në Bruksel kanë për qëllim “të nënvizojnë vendosmërinë” e administratës së presidentit Joe Biden “për të forcuar aleancën transatlantike dhe për të gjallëruar lidhjet tona me aleatët përmes NATO-s”, tha po ashtu Departamenti i Shtetit.
Sipas tij, në agjendë të diskutimeve do të jenë Kina dhe Rusia, ashtu si edhe roli i NATO-s në Afganistan, siguria kibernetike, luftimi i terrorizmit, ndryshimet klimatike, siguria energjetike dhe sfida të tjera të përbashkëta.
Blinken do të takojë edhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, për të biseduar rreth rimëkëmbjes nga pandemia COVID-19 dhe forcimit të demokracisë.
Në një deklarim përpara udhëtimit në Bruksel, Philip Reeker, ushtrues detyre i ndihmëssekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euro-Azisë, tha se Shtetet e Bashkuara do të konsultohen ngushtë me aleatët e NATO-s dhe partnerët e tjerë për misionin ushtarak në Afganistan.
“Ne kemi hyrë së bashku. Do të përshtatemi së bashku, siç kemi bërë me vite dhe, kur të jetë koha e duhur, do të largohemi së bashku”, tha Reeker.
Forca e NATO-s në Afganistan, e udhëhequr nga SHBA-ja, ka rreth 10,000 trupa, që ndihmojnë në trajnimin dhe këshillimin e forcave afgane të sigurisë.
Biden ka thënë më herët se afati i 1 majit për tërheqjen e trupave të NATO-s nga Afganistani “do të jetë i vështirë”.
Ky afat ishte përcaktuar me një marrëveshje midis ish-administratës amerikane dhe talibanëve në Afganistan.
Marrëdhëniet me Rusinë do të jenë po ashtu temë gjatë udhëtimit të Blinkenit në Evropë, tha Reeker, duke vënë në dukje se administrata Biden përpiqet të krijojë një marrëdhënie që është e parashikueshme dhe e qëndrueshme.
“Ne do të angazhohemi me aleatët tanë, për të diskutuar pikëpamjet e ndryshme të Rusisë dhe mënyrat se si mund të angazhohemi me Rusinë, duke i shtyrë përpara interesat tona kolektive, por duke mbetur syhapur ndaj sfidave që paraqet Rusia”, tha Reeker.
Ambasadori i Rusisë në SHBA, Anatoly Antonov, është kthyer në Moskë të dielën, pasi është thirrur në konsultime emergjente, pas deklaratës së Bidenit se ai beson se homologu i tij rus, Vladimir Putin, është vrasës.
Udhëtimi i Blinkenit në Evropë, sipas analistëve, po ashtu vë në dukje politikën e re të jashtme amerikane pas administratës së ish-presidentit Donald Trump.
Qasja e Trumpit ka qenë “Amerika e para” dhe aleatët tradicionalë i ka trajtuar shpesh si rivalë dhe jo partnerë.
Pas Trumpit, administrata e re e Bidenit pritet të koordinohet me partnerët evropianë edhe për një mori çështjesh tjera, përfshirë marrëveshjen bërthamore me Iranin, politikën ndaj Kinës, ndryshimin e klimës dhe mosmarrëveshjet mbi tregtinë.