Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, të premten bëri dënimin e tij më të drejtpërdrejtë për numrin e vdekjeve të civilëve në Gaza dhe tha se duhet bërë më shumë për të “minimizuar dëmin ndaj civilëve palestinezë”.
Edhe pse Blinken e përgëzoi Izraelin për shpalljen e tij të pauzave ditore humanitare dhe dy korridoreve humanitare, ai tha se “mund dhe duhet bërë më shumë për të minimizuar dëmin ndaj civilëve palestinezë”.
“Shumë palestinezë janë vrarë. Shumë kanë vuajtur këto javët e fundit”, tha Blinken në një konferencë për shtyp në kryeqytetin indian të Nju Delhit. “Duam të bëjmë gjithçka që është e mundur për të parandaluar dëmtimin e tyre dhe për të maksimizuar ndihmën që u vjen atyre”.
“Për këtë qëllim, ne do të vazhdojmë të diskutojmë me Izraelin hapat konkretë që duhen ndërmarrë për të çuar përpara këto objektiva”, shtoi Blinkeni, megjithëse ai nuk pranoi të detajojë specifikat e atyre hapave.
Diplomati i lartë amerikan ka ndryshuar në mënyrë delikate mesazhet e tij në ditët që kur u largua nga Lindja e Mesme në fillim të kësaj jave për të shprehur më drejtpërdrejt dënimin e numrit të civilëve të vrarë në Gaza dhe pritshmëritë e ShBA-së për qeverinë izraelite, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.
Në Tokio të mërkurën, Blinken përshkroi kushtet e ShBA-së për një “paqe të qëndrueshme” në Gaza pas luftës dhe të premten ai përsëriti se ishte bërë “disa përparim” në vendosjen e atyre “parimeve bazë”.
Blinken përsëriti të premten se ShBA-ja “do të vazhdojë të fokusohet pa pushim në kthimin e pengjeve në shtëpi” dhe ndalimin e zgjerimit të konfliktit. /Klankosova.tv