Arkeologu Elvis Shala, qysh prej vitit 2016, udhëheq punimet në lokalitetin arkeologjik të Dresnikut. Sfidat profesionale e organizative janë të shpeshta për të. Por në dy vjetët e fundit është duke u përballur me situata të pazakonta.
Sidomos sivjet. Instituti Arkeologjik i Kosovës çdo vit angazhon punonjës teknikë të fshatrave afër lokalitetit arkeologjik në afërsi të Klinës. Por sidomos sivjet kanë probleme me pagesat e tyre. Prej korrikut e deri tash nuk u është paguar asnjë cent.
“Njërin nga punëtorët e lajmëruan se ia këputën rrymën. E llogarit se në çfarë pozite isha unë si udhëheqës i projektit”, ka thënë Shala.
Shkaku i mospagesave, puna në këtë lokalitet, prej më të rëndësishmëve në vend, është ndalur. Fillimisht punimet atje kishin nisur me vonesë. Tek në korrik IAK-ja kishte marrë guximin që t’ia mësynte këtij lokaliteti pasi ishte siguruar nga Ministria e Kulturës se pagesat do të bëheshin.
Por meqenëse nuk ishte bërë asnjë deri në tetor, në ditën e 12-të të këtij muaji janë ndalur punimet. Stafi teknik e ai profesional përfshinte 25 veta. Por ky nuk është problemi i vetëm. Mungesa e mjeteve ka reflektuar edhe në disa pjesë të projektit.
“Sivjet jemi marrë vetëm me gërmime meqenëse ishte e pamundur të blejmë material për konservim”, ka thënë Shala.