Dhjetëra kandidatë janë në pritje të zhbllokimit të procesit të nënshtrimit të provimit teorik dhe praktik për patentë shoferi në Qendrën për Patentë Shoferi në Prishtinë. Nga fillimi i këtij muaji, ata nuk kanë mundur që t’iu nënshtrohen këtyre provimeve shkaku i mungesës së zyrtarëve ekzaminerë.
Mungesa e këtyre zyrtarëve, sipas Ministrisë së Infrastrukturës, është shkaku i skadimit të kontratave të tyre, dhe se me Ligjin për zyrtarët publikë që kishte hyrë në fuqi më 11 shtator të këtij viti janë “shfaqur paqartësi që kërkojnë analizë ligjore drejt vazhdimit të angazhimit të tyre”, shkruan sot “Koha Ditore”.
Megjithatë, zbatimi i këtij ligji është pezulluar përkohësisht nga Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës që kishte bërë Institucioni i Avokatit të Popullit për vlerësimin e kushtetutshmërisë në disa prej neneve të këtij ligji, si dhe për masë të përkohshme. Kushtetuesja më 19 nëntor e ka miratuar ankesën e Avokatit të Popullit për masë të pezullimit deri në më 28 shkurt 2020, dhe gjithashtu ka pezulluar zbatimin në tërësi të këtij ligji.
Bazuar në këtë vendim, gazeta të mërkurën ka kërkuar një përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës se si do të veprojë pas pezullimit të këtij ligji me rastin e ekzaminerëve, por nuk ka marrë përgjigje.