Blushi tregon “incidentin e bukur” në Panair: “Jam Mysliman” mbaroi për 30 minuta

Prishtinë | 15 Nën 2025 | 12:50 | Nga Ekonomia Online

Shkrimtari dhe publicisti i njohur, Ben Blushi ka përjetuar një moment të veçantë gjatë promovimit të romanit të tij të ri, “Jam Mysliman”, në Panairin e Librit në Tiranë.

Sipas tij, vetëm 30 minuta pasi kishte nisur të jepte autografe, të gjitha kopjet e librit u shitën.

“Dje rreth orës 18:00, kur kisha 30 minuta që jepja autografe, romani ‘Jam Mysliman’ mbaroi. Nuk kishte më kopje”, shkroi Blushi në Facebook.

Ai tha se brenda gjysmë ore u shitën 500 kopje, ndërsa punonjësit e shtëpisë botuese “Onufri” u detyruan të vraponin drejt shtypshkronjës për të siguruar sasinë e radhës.

Blushi tha se u ndje i mrekulluar me faktin që lexuesit pritën rreth 40 minuta në këmbë për të marrë librin, duke i falënderuar për durimin dhe besnikërinë e tyre prej 17 vitesh.

Autori tha se përvoja e djeshme në Panair “ishte ndër më të bukurat”.

“Njerëzit mbanin radhë për librat. Çfarë kënaqësie. Ju përqafoj të gjithëve”, u shpreh ai, duke shtuar se sot libri nuk do të mungojë në panair.

Shkrimtari konfirmoi se do të jetë sërish i pranishëm për të takuar dhe respektuar të gjithë lexuesit e tij.

Të ngjashme